KUSH është KUSH - Mike Waltz: Eksperti i kërcënimeve, këshilltari për sigurinë i Trumpit
Mike Waltz, një politikan amerikan dhe ish-oficer ushtarak, është emëruar në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare në administratën e re të Donald Trump. Trump deklaroi në platformën e tij “Truth Social” se Waltz shërbeu në forcat speciale të ushtrisë për 27 vjet, ku u angazhua në luftime të shumta për të cilat mori katër medalje. Ai shtoi se Waltz është "një lider i njohur në sigurinë kombëtare dhe një ekspert për kërcënimet e paraqitura nga Kina, Rusia, Irani dhe terrorizmi global".
"Mike ka qenë një mbështetës i fortë i agjendës sime të politikës së jashtme "Amerika e para" dhe do të jetë një bashkëpunëtor i madh në ndjekjen tonë të paqes përmes forcës," tha presidenti i zgjedhur i SHBA.
Waltz është anëtar i Partisë Republikane dhe përfaqëson distriktin e 6-të të Floridës në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA që nga viti 2019. Para se të hynte në politikë, ai shërbeu si operativ special në ushtrinë amerikane dhe u bë i njohur për përfshirjen e tij në misione të ndryshme, përfshirë Afganistanin dhe Irakun.
Waltz është një veteran i ushtrisë amerikane dhe i pari "Bereta e Gjelbër" që zgjidhet në Kongres.
Ai njihet si avokat i një kursi të ashpër ndaj Kinës, por edhe dikush që mbron një kthesë në çështjen e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, ai u fokusua në përballjen me Kinën dhe reduktimin e varësisë nga burimet kineze. Ai gjithashtu mbrojti mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, por me theks në kontrollin e shpenzimit të parave të taksapaguesve amerikanë.
Vitin e kaluar, ai publikoi një koment në Fox News në të cilin iu drejtua shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington:
"Epoka e çeqeve të zbrazëta për Ukrainën në Kongres ka përfunduar," tha ai.
Më pas, ndër të tjera Waltz ka deklaruar dhe se vendet evropiane duhet të kontribuojnë edhe më shumë.
Ballkani
Waltz ka komentuar vazhdimisht për politikën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet mes vendeve të ndryshme, por ai nuk është fokusuar veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Deklaratat e tij kryesisht i referohen sigurisë më të gjerë globale dhe pranisë ushtarake amerikane.
Ai u mor me Ballkanin në drejtim të zgjerimit të NATO-s, duke propaganduar se çdo vend duhet të ketë mundësinë për t'u anëtarësuar në Aleancë, por se kjo kërkon edhe "angazhim serioz në zgjidhjen e tensioneve rajonale dhe detyrimet ndaj paqes dhe stabilitetit".
Ai kritikoi gjithashtu politikën e Rusisë ndaj Ballkanit, si dhe përpjekjet e Moskës për të rritur ndikimin e saj në rajon. Në këtë kontekst, ai mbështeti një prani më të fortë ushtarake amerikane në rajon, duke pretenduar se Rusia është "një faktor kyç i destabilizimit në Evropën Lindore dhe në Ballkan".
Polemikat
Si politikan dhe ish-ushtarak, ai u shoqërua me disa polemika. Një prej tyre është lidhja me kompanitë private ushtarake. Sipas raporteve të mediave, ai ka qenë këshilltar i kompanive private të sigurisë dhe pajisjeve ushtarake, gjë që ka ngritur shqetësime midis kritikëve se interesi i tij për kontratat private ushtarake mund të ndikojë në vendimet e tij në Kongres, veçanërisht për çështjet ushtarake.
Ai u kritikua gjithashtu për luftën e tij të theksuar kundër terrorizmit islamik, gjë që ka çuar në akuza se fokusohet shumë në aspektet ushtarake të sigurisë në kurriz të opsioneve diplomatike ose të tjera për zgjidhjen e konflikteve.
Jeta private
Waltz lindi në Boynton Beach, Florida dhe u rrit në Jacksonvill. Ai mori një diplomë bachelor në studimet ndërkombëtare nga Instituti Ushtarak i Virxhinias dhe u emërua si toger i dytë në ushtrinë amerikane.
Ai është i martuar me Julia Nesheivat, e cila filloi si oficere e inteligjencës ushtarake dhe u bë këshilltare për sigurinë kombëtare. Ajo shërbeu si Këshilltarja e 10-të e Sigurisë Kombëtare në administratën Trump nga viti 2020 deri në 2021, dhe gjithashtu shërbeu në administratat e Bush dhe Obama.
0 komentet