Rendi i ri botëror dhe perspektiva ballkanike: Serbia midis Moskës, Pekinit dhe Uashingtonit

Beograd_240125_Željko Šajn 04
Burim: Kosovo Online

Shkruan për Kosovo online: Zhelko Shajn

Zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë dhe rënies së Murit të Berlinit hapi një perspektivë të re për botën. Edhe pse kufijtë u ridizenjuan nga furtunat e luftës, qendrat e fuqisë mbetën të njëjtat – Moska, Pekini dhe Uashingtoni. Në këtë hartë gjeopolitike, vitet e fundit gjithnjë e më shumë vend të dukshëm zë edhe Beogradi, ndërkohë që Brukseli, Londra, Parisi dhe Berlini gjithnjë e më shpesh mbeten në margjina të proceseve të mëdha, pa vizion të qartë dhe ndikim politik.

Pavarësisht pasigurisë, perspektiva e marrëveshjeve përfundimtare të bazuara në marrëdhënie të balancuara dhe kompromise diplomatike mbetet e hapur. Bazë për këtë ofron edhe Karta e Kombeve të Bashkuara, dokumenti që këtë vit shënon tetë dekada ekzistence. Pikërisht në një moment të tillë shtrohet qartë pyetja mbi cilët parime do të mbështetet arkitektura e re globale dhe çfarë roli mund të kenë në të shtetet e vogla, si Serbia.

Përgjigjet ndaj kësaj pyetjeje, të paktën pjesërisht, i ofrojnë mesazhet politike të paradave ushtarake. Në Uashington u shënua 250-vjetori i ushtrisë amerikane; Moska theksoi vazhdimësinë e traditës së Ushtrisë së Kuqe dhe fitoren mbi nazizmin; Pekini kujtoi luftën aleate kundër militarizmit japonez; ndërsa Beogradi dërgoi mesazhin se Ballkani nuk duhet të jetë më detonatori i interesave të huaja.

Paradat, megjithatë, nuk janë vetëm shfaqje të fuqisë ushtarake. Ato janë formë e sofistikuar e gjuhës politike. Çdo uniformë dhe çdo njësi në sheshin qendror bëhet mesazh – për aleatët, rivalët dhe qytetarët e vet. Kështu, Shtetet e Bashkuara festojnë vazhdimësinë dhe fuqinë, Rusia mbështetet në kujtesën historike, Kina kujton aleancat e së kaluarës, ndërsa Serbia tregon gatishmërinë për të qenë faktor stabiliteti.

Dihet se Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara sot disponojnë arsenale bërthamore me një fuqi shkatërruese të tillë saqë përdorimi i tyre do të shkaktonte zhdukjen e njerëzimit. Cilësia e armatimit modern tejkalon imagjinatën, por vlera e vërtetë qëndron në aftësinë për ta përkthyer fuqinë ushtarake në kapital diplomatik. Prandaj, në momentin aktual konfirmohet se diplomacia nuk është shenjë dobësie, por mekanizmi i vetëm për ruajtjen e stabilitetit.

Papa Françesku, edhe para shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, paralajmëroi se bota kishte hyrë në një “luftë të tretë botërore të fragmentuar”. Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, e përsëriti këtë mendim edhe për gazetën Politika, duke theksuar se një varg konfliktesh lokale po shndërrohen në një konflikt global. Në këtë kontekst, takimi i Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit në Alaskë ishte moment i ndalimit të konfrontimit total.

Në këto rrethana, Serbia gjithnjë e më hapur ndërton pozitën e një aktori që neutralitetin ushtarak dhe fleksibilitetin diplomatik e shndërron në përparësi. Pikërisht për këtë arsye nga Brukseli gjithnjë e më shpesh vijnë kritika dhe presione ndaj Beogradit, i cili, ndryshe nga disa kryeqytete evropiane, ka hapësirë manovrimi si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Moska dhe Pekini, me rastin e tetëdhjetëvjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore, e pritën me respekt të madh presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke konfirmuar kështu se Serbia trashëgon të kaluarën e një vendi që dha rezistencë të fortë kundër fuqive të Boshtit dhe kontribuoi shumë në rrëzimin e nazizmit dhe fashizmit.

Megjithatë, marrëdhëniet ndërkombëtare të sotme tregojnë se ndaj Beogradit më shpesh zbatohen “argumentet e forcës” sesa “forca e argumenteve”. Në këtë kontekst ia vlen të kujtohen fjalët e Ajnshtajnit: “Shtetet e fuqishme nuk kanë nevojë për ambasadorë – forca e tyre flet vetë. Për shtetet e vogla, megjithatë, me rëndësi vendimtare është mënyra se si shprehen.” Serbia, përmes paradës së saj dhe mesazheve politike, ka theksuar se nuk i kërcënohet askujt, por se është e gatshme për mbrojtje. Kështu është hapur hapësirë për një lojë diplomatike ku kompromisi bëhet instrumenti kryesor.

Pikërisht në këtë moment po formohet rendi i ri botëror. Liderë si Putini, Trumpi dhe Xi, me takimet dhe deklaratat e tyre, po e konfirmojnë se kompromisi nuk është shenjë dobësie, por mënyra e vetme për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm.

Presidenti kinez Xi Jinping, në margjinat e samitit të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, kujtoi pesë parimet e platformës kineze të paqes: respekt i ndërsjellë për integritetin territorial dhe sovranitetin, mos-sulm reciprok, mosndërhyrje në punët e brendshme, barazi dhe përfitime të ndërsjella, bashkëjetesë paqësore. Këto pesë pika, të formuluara në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, sot marrin një kuptim të ri. Ato ofrojnë një kornizë globale për bashkëpunim të bazuar në ekuilibër dhe përfaqësojnë një kundërpeshë ndaj qasjeve hegjemone. Serbia në to sheh një platformë që i mundëson të shndërrojë pozitën e saj si shtet i vogël në një rol aktiv diplomatik.

Ballkani nuk është më periferik pasiv, por po bëhet pjesë e procesit në të cilin po krijohet arkitektura e re e sigurisë. Serbia, me ushtri të forcuar dhe diplomaci aktive, po konfirmon se është një aktor i pashmangshëm në rajon. Njëkohësisht, roli i SHBA-ve në proceset euroaziatike tregon se asnjëra palë nuk mund të përjashtohet plotësisht.

Përkundrazi, Berlini, Parisi dhe Londra gjithnjë e më shpesh mbeten në margjina. Politika e tyre, e bazuar në sanksione dhe retorikë lufte, po dëshmohet e pamjaftueshme. Në të njëjtën kohë, Beogradi po forcon bashkëpunimin me të gjithë aktorët relevantë. Serbia, tashmë e njohur si aktor i rëndësishëm në rendin e ri botëror, po bëhet interesante edhe për SHBA-të, gjë që e dëshmoi edhe ftesa e Sekretarit amerikan të Shtetit për të biseduar me presidentin Vuçiç në margjinat e shënimit të 80-vjetorit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Është e qartë se rendi i ri botëror nuk po formohet në Bruksel. Ai po lind në relacionin Moskë–Pekin–Uashington. Serbia, falë trashëgimisë historike dhe vendimeve politike bashkëkohore, ka hyrë në klubin e shteteve që kanë rëndësi diplomatike në krijimin e tij.

Në vitet e ardhshme do të vendoset nëse bota do të shmangë konfliktin total dhe do të gjejë ekuilibrin. Pesë parimet e platformës kineze të paqes ofrojnë një kornizë universale, ndërsa Serbia po tregon se Ballkani mund të jetë vend i stabilitetit, e jo detonator i interesave të huaja. Beogradi nuk është vetëm trashëgimtar i traditës antifashiste, por edhe aktor që në rendin e ri multipolar di të bashkojë forcën ushtarake me mençurinë diplomatike.