Deleviq dhe Vasiq: Nuk ka bazë për caktimin e paraburgimit ndaj dy serbëve

Delević
Burim: Kosovo Online

Mbrojtësit e dy serbëve të arrestuar dje në komunën e Istogut, avokatët Millosh Deleviq dhe Dejan Vasiq, theksuan pas seancës për caktimin e paraburgimit se Zhikica dhe Grujica Bellosheviq dyshohen për vrasjen e 19 civilëve shqiptarë në fshatin Padalishtë. Ata shprehën shpresën se gjykata nuk do ta miratojë propozimin e prokurorisë për caktimin e paraburgimit, pasi, siç theksuan, nuk ka bazë për një masë të tillë.

“Siç e dini, dje janë arrestuar tre serbë në fshatin Cërkolez të komunës së Istogut. Njëri prej tyre është liruar dje, ndërsa ndaj dy të tjerëve është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit deri në 30 ditë. Ne e kemi kundërshtuar këtë masë. Kemi theksuar se Grujica dhe Zhikica Bellosheviq kanë jetuar në Kosovë pas luftës, se për 27 vjet pas luftës kanë jetuar në fshatin e tyre, janë marrë me blegtori dhe bujqësi dhe nuk kanë tentuar kurrë të arratisen”, tha avokati Millosh Deleviq.


Deleviq deklaroi se nuk ka bazë për caktimin e paraburgimit dhe se mbrojtja ka propozuar masa alternative, arrest shtëpiak ose dorëzani, me garancinë se të dyshuarit do të mbrohen në liri, përkatësisht se do t'u përgjigjen thirrjeve të gjykatës.

Siç shtoi ai, ata dyshohen për krimin e kryer në Padalishtë, përkatësisht për vrasjen e 19 civilëve të nacionalitetit shqiptar.

“Cili njeri, nëse do të kishte marrë pjesë në ato vrasje, do të qëndronte në Kosovë dhe do të jetonte për 27 vjet së bashku me shqiptarët, të cilët i takon çdo ditë? Mendoj se Prokuroria Speciale, duke qenë se përballet me persona që janë në arrati dhe te të cilët nuk mund të arrijë sepse ndodhen në Serbi, po arreston njerëz të pafajshëm, pa asnjë provë të vetme”, shpjegoi Deleviq.

Avokati Dejan Vasiq tha se klienti i tij, Grujica Bellosheviq, nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet e përmendura dhe se shpreson që gjykata të marrë një vendim të drejtë.

“Nuk do të doja që në këtë fazë të flisja për provat, nëse ato ekzistojnë apo jo dhe sa të bazuara janë, por e di se Grujica nuk ka absolutisht asnjë lidhje me atë ngjarje. Qëndrimi dhe sjellja e gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili sot do të vendosë për këtë kërkesë, më japin një fije shprese se gjykata megjithatë do t'i shqyrtojë kërkesat e mbrojtjes, përkatësisht propozimet e saj, dhe do të vendosë për ndonjë masë më të butë. Ndoshta do të ndodhë edhe një precedent në rastin e klientit tim dhe sot mund t'i caktohet një masë më e butë”, tha Vasiq.


Vendimi i gjykatës lidhur me propozimin e prokurorisë për caktimin e paraburgimit do të bëhet i ditur më vonë.

Policia e Kosovës arrestoi dje tre serbë nga Osojani, Zhikica dhe Grujica Bellosheviq, si dhe Obrad Tijaniqin, i cili më vonë u lirua.