Raporti i KE: Kosova pa përparim të dukshëm në rrugën evropiane për shkak të krizës politike
Kriza politike dhe ngecja në punën e institucioneve kanë ngadalësuar përparimin e Kosovës në rrugën evropiane, ndërsa sipas draftit të raportit të Komisionit Evropian, në disa fusha nuk është shënuar përparim i dukshëm. Theksohet se normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht për përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE, transmeton Koha.
Komisioni Evropian do t'i miratojë dhe publikojë të mërkurën, më 4 nëntor, raportet vjetore të progresit, si dhe paketën e zgjerimit.
“Koha” ka pasur qasje në draftet e këtyre dokumenteve, nga të cilat rezulton se Kosova është “në grupin e vendeve që nuk kanë shënuar përparim ose kanë arritur kryesisht përparim të kufizuar”.
Si arsye kryesore për mungesën e përparimit konkret në Kosovë përmendet fakti se kriza e vazhdueshme politike dhe mungesa e një Kuvendi funksional kanë penguar punën e qeverisë, si dhe ndikimi i grupeve të interesit në gjyqësor dhe prokurori.
Komisioni Evropian këtë vit, për herë të parë, në raportin për Kosovën përfshin edhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së, ashtu siç ka vepruar edhe me vendet e tjera kandidate në procesin e zgjerimit, në kuadër të Kapitullit 31.
Pritet që Komisioni, në këtë dokument, ta mirëpresë faktin se Kosova është plotësisht e harmonizuar me BE-në në fushën e politikës së jashtme. Një pjesë e madhe e raportit për Kosovën i kushtohet edhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe detyrimeve që rrjedhin nga dialogu.
Në raport konstatohet se, për shkak të proceseve politike në Kosovë dhe Serbi, nuk është arritur përparimi i duhur në zbatimin e detyrimeve nga dialogu.
Theksohet sërish se normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht për të dyja palët për të përparuar në rrugën drejt BE-së, por edhe për zhvillimin ekonomik. Njëkohësisht, paralajmërohet se mungesa e përparimit ka pasoja.
“Normalizimi nuk është vetëm një kërkesë në rrugën evropiane. Ai është thelbësor për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të të dyja shoqërive dhe të rajonit. Mungesa e përparimit ka një kosto ekonomike dhe mbart rrezikun që të dyja palët të mbeten prapa në një kohë kur procesi i zgjerimit ka marrë hov”, thuhet në raport.
Pa garanci për integrimin në BE – ekziston një mundësi reale Përparimin më të madh, përkatësisht përmbushjen pothuajse të të gjitha kushteve, e ka arritur Mali i Zi, për të cilin Komisioni Evropian beson se ky do të jetë raporti i fundit i progresit, duke pasur parasysh se pritet që së shpejti t'i përmbyllë negociatat e anëtarësimit.
Përveç raporteve të progresit, Komisioni Evropian pritet të miratojë dhe publikojë edhe një plan kohor me afate për vendet më të avancuara, në mënyrë që ato t'i realizojnë objektivat e tyre në procesin e negociatave.
Kjo do të bëhet për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, ndërsa Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Serbia, Gjeorgjia dhe Turqia mbeten dukshëm prapa.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Serbia, Gjeorgjia dhe Turqia po shënojnë regres në disa fusha, transmeton Koha.
komentet