Fillipoviq: Të kënaqur me heqjen e masës së paraburgimit ndaj Cvetkoviqit, përpara është një proces penal i gjatë

Jovana Filipović
Burim: Kosovo Online

Jovana Fillipoviq, avokatja mbrojtëse e Dragan Cvetkoviqit nga Pasjani, i cili po akuzohet nga Prokuroria Speciale për krim të dyshuar lufte, ka thënë për Kosovo online se është e kënaqur me ndërprerjen e paraburgimit ndaj klientit të saj, por se ka një procedim penal që do të zgjasë gjatë, sepse prokuroria propozoi një numër të madh dëshmitarësh.

“Sidoqoftë, ne si palë mbrojtëse jemi të kënaqur me vendimin e gjykatës, si dhe anëtarët e familjes së Dragan Cvetkoviqit. Shpresoj që në rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës do të hasim në disa rezultate pozitive nga gjykata. Ne, natyrisht, besojmë se Dragan Cvetkoviq nuk i ka kryer veprat për të cilat akuzohet dhe se nuk ka pasur vend për caktimin e ndonjë mase, por jemi të kënaqur që ai nuk është më në paraburgim, por do të kalojë kohë me familjen e tij dhe në këtë mënyrë do të mbrohet gjatë kësaj procedure”, tha Fillipoviq.

Ajo theksoi se ka një procedim penal që ndoshta do të zgjasë shumë, duke qenë se siç tha ajo ka një numër të madh të dëshmitarëve për këtë rast të paralajmëruar nga prokuroria.

Ajo shprehu shpresën se do të ketë rezultat pozitiv edhe për të dyshuarit e tjerë.

Cvetkoviq akuzohet për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile në territorin e komunës së Gjilanit në vitin 1999.

Përveç Cvetkoviqit, në fillim të gushtit, në Pasjan u arrestuan edhe katër serbë. Atyre u është zgjatur paraburgimi edhe për dy muaj.