Pantoviq: Paraburgim njëmujor për Spasiqin, për 26 vjet asnjë dëshmitar nuk e ka përmendur emrin e tij
Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe i ka caktuar Sinisha Spasiqit paraburgim prej 30 ditësh, ka bërë të ditur mbrojtësi i tij, Lubomir Pantoviq, duke theksuar se kjo kërkesë e prokurorisë nuk i plotëson kushtet për t’u pranuar.
Pantoviq ka shpjeguar se hetimet për rastin në të cilin Spasiqi dyshohet për krim lufte kanë filluar në vitin 1999 dhe se për 26 vjet asnjë nga dëshmitarët e pyetur nuk e ka përmendur Spasiqin, deri para një muaji.
„Gjykata e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe i ka caktuar Spasiqit paraburgim njëmujor nën dyshimin se në prill të vitit 1999 ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale krim lufte kundër popullsisë civile. Këtu është shumë me rëndësi të thuhet se hetimet për atë krim, që i vihet në barrë zotit Spasiq, kanë filluar që në verën e vitit 1999, pra para 26 vitesh, dhe ato hetime janë zhvilluar nga hetuesit e Tribunalit të Hagës, më pas nga hetuesit e Prokurorisë së UNMIK-ut, EULEX-it dhe hetuesit kosovarë. Brenda atyre hetimeve janë marrë në pyetje me dhjetëra dëshmitarë. Për këto 26 vjet askush, asnjëherë, në asnjë kontekst që lidhet me atë krim nuk e ka përmendur Sinisha Spasiqin, deri para një muaji e gjysmë kur një dëshmitar u kujtua se Sinisha kishte marrë pjesë në atë krim, por e kishte harruar ta thoshte për plot 26 vjet. Pas kësaj iu ‘freskua kujtesa’ edhe disa dëshmitarëve të tjerë, të cilët gjithashtu deklaruan se Sinisha kishte qenë pjesëmarrës në atë që ata pretendojnë se ishte krim lufte,“ ka thënë Pantoviq.
Siç theksoi ai, e gjithë kjo është parë shumë herë në Kosovë dhe me shumë gjasë do të pasojë ngritja e aktakuzës.
Ai paralajmëroi se do të paraqesë ankesë ndaj vendimit të gjykatës.
„Thjesht, kemi hyrë në atë fazë të skenarit tashmë të parë. Pasojnë hetimet, ku ka gjasa që edhe disa dëshmitarë të tjerë të ‘kujtohen’ për diçka për të cilën nuk janë kujtuar për 26 vjet, dhe me shumë gjasë do të pasojë ngritja e aktakuzës. Thjesht jemi në një situatë ku njerëzit mbyllen, procedohen, pa asnjë provë. Kjo kërkesë që Prokuroria Speciale e ka paraqitur sot, unë ju siguroj se nuk i plotëson kushtet themelore për t’u pranuar dhe që në bazë të saj të caktohet paraburgim, sepse absolutisht nuk është paraqitur, nuk është provuar dyshimi i bazuar se zoti Spasiq ka marrë pjesë në atë ngjarje, e ky është kushti themelor që të caktohet paraburgim ndaj një personi. Do të paraqes ankesë, kjo është e vetmja gjë që në këtë moment mbrojtësi ka në dispozicion,“ tha Pantoviq.
Spasiqi, përndryshe punëtor i EPS-it, është arrestuar para dy ditësh në Merdar nën dyshimin se ka kryer krim lufte të supozuar në komunën e Vushtrrisë gjatë konfliktit në Kosovë.
0 komentet