Abazoviq: Do të dëshiroja që Mali i Zi të jetë mikpritës nëse do të ketë raunde të reja negociatash ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Dritan Abazović
Burim: Kosovo Online

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq deklaroi se Mali i Zi është i gatshëm të kontribuojë dhe të mbështesë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke shtuar se, nëse do të ketë raunde të reja negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ka dashur që Mali i Zi të jetë mikpritës i tyre, raporton “Pavloviq Today”.

I pyetur se si mund të kontribuojë Mali i Zi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Abazoviq tha se Mali i Zi luan rolin e pajtimit në rajon dhe se ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje dhe është i gatshëm të ndihmojë në çdo mënyrë, duke përfshirë mbështetjen logjistike.

“Personalisht do të doja të zgjeroja ofertën time – nëse do të ketë raunde të reja negociatash mes Kosovës dhe Serbisë, t’i pres në Mal të Zi”, ka treguar Abazoviq për “Pavloviq Today”. 

Ai tha se Mali i Zi nuk është pjesë e dialogut, por se personalisht beson se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë që do t'i sjellë diçka edhe Serbisë edhe Kosovës.

“Kjo është rruga që duhet të ndjekë rajoni. Rruga e normalizimit është ajo e duhura për rajonin si hap i parë dhe në fund, kur të plotësohen të gjitha kriteret, hyrja në Bashkimin Evropian si synimi përfundimtar për të gjithë rajonin", ka thënë kryeministri malazes.

E konsideron se gjëja më e rëndësishme është zbatimi i marrëveshjes dhe shton se që të ndodhë kjo, të dyja palët duhet t'i përmbahen asaj që kanë rënë dakord. 

"Unë nuk jam përkrahës i idesë në të cilën palët nënshkruajnë diçka pa monitoruar zbatimin. Kjo nuk funksionoi mirë në të kaluarën. Gjëja më e rëndësishme është të zbatohet ajo për të cilën janë dakord", tha Abazoviq.

Ai vuri në dukje se është e nevojshme që Serbia dhe Kosova të respektojnë dispozitat e veçanta të aneksit për zbatimin, duke përfshirë ato që Serbia të mos bllokojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që Kosova të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe. 

Duke qenë se së fundmi ka takuar kryeministrin shqiptar Edi Rama, Abazoviq thotë se kryeministri i Shqipërisë e mbështet marrëveshjen, por vëren se as Rama dhe as ai nuk janë palë në dialog.

Ai theksoi rëndësinë e marrjes së vendimeve të vështira për të "çliruar rajonin nga status quo" dhe theksoi se largimi nga zona e rehatisë dhe krijimi i një ndikimi të qëndrueshëm kërkon aftësi për të bërë zgjedhje të vështira. 

Abazoviq u bëri thirrje Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit që të bëjnë progres në zbatimin e marrëveshjes.

“Mesazhi im për Kurtin dhe Vuçiqin ,dhe këtë e them me mirëbesim si mik, është që të marrin vendime të vështira. Jepini fund asaj dhe vazhdoni. Në Mal të Zi e kemi bërë këtë me Marrëveshjen Themelore. Më vonë doli se ato vendime të vështira që njerëzit e tjerë shpesh nuk donin t'i merrnin nuk ishin aq të vështira", ka thënë Abazoviq.