Sholle: Negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të përshpejtohen
Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Sholle, i cili do të jetë pjesë e delegacionit amerikan që do të vizitojë Beogradin javën e ardhshme, tha se nuk ka një datë të caktuar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se negociatat duhet të përshpejtohen, transmeton RTV.
I pyetur nëse ka një afat specifik deri në të cilin SHBA pret arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Sholle i tha për Blic TV se është e vështirë të specifikohet data e saktë sepse negociatat janë të tensionuara.
"Qëndrimi ynë është mjaft i thjeshtë - negociatat duhet të përshpejtohen. Ne kemi punuar shumë për të mbështetur kolegët tanë nga BE-ja, Kosova dhe Serbia në promovimin e procesit evropian. Nuk kemi pasur standarde të dyfishta dhe po bëjmë gjithçka që mundemi që të dyja palët të gjeni një gjuhë të përbashkët, sepse sa më gjatë të zgjasë kjo, rruga e Kosovës dhe Serbisë në arritjen e anëtarësimit të plotë në BE do të jetë më e gjatë”, tha Sholle.
Sholle shtoi se pret të shohë përparim në këtë fushë së shpejti dhe tha se një nga gjërat që do të diskutojë me kolegët nga rajoni javën e ardhshme është se si SHBA mund të ndihmojnë, por edhe për inkurajimin e të dyja palëve për të ecur përpara në negociatat me shpejtësi të madhe.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse plani i sjellë në Beograd dhe Prishtinë disa ditë më parë nga i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Llajçak është një bazë e mirë për bisedime, Sholle thekson se SHBA plotësisht mbështesin gjithçka që bën BE-ja dhe se ata janë në kontakt të vazhdueshëm.
“Këto janë negociata, diçka që u prezantua në fillim nuk duhet të jetë domosdoshmërisht në fund, e tillë është natyra e të gjitha negociatave. Në muajt e fundit jemi përpjekur të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të mbështetur procesin, por edhe për të bërë të ditur se presim që të dyja palët të përfshihen urgjentisht, të tregojnë fleksibilitet dhe vullnet të mirë gjatë negociatave”, tha Sholle.
Duke folur për vizitën e të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në rajon më 12 dhjetor, Sholle tha se kjo vizitë është e rëndësishme dhe se është një tregues se SHBA janë të përkushtuara për rajonin dhe ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor.
"Po vij edhe unë dhe do të udhëheq delegacionin që do të arrijë fillimisht në Prishtinë, pastaj në Beograd. Sigurisht që na shqetësoi dhuna e së martës në veri të Kosovës në Zubin Potok dhe në Mitrovicën e Veriut", tha Sholle.
Ai ka theksuar se ngjarjet aktuale konfirmojnë qëndrimin e tij se zgjedhjet e parapara në veri të Kosovës duhet të shtyhen, sepse ato nuk do të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin.
Ai shtoi se pajtohet me qëndrimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Xhefri Hovenijer, se askush nuk duhet të përdorë dhunë dhe frikësim, si dhe eksplozivët.
Ai ka theksuar se ngjarjet aktuale konfirmojnë qëndrimin e tij se zgjedhjet e parapara në veri të Kosovës duhet të shtyhen, sepse ato nuk do të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin.
"Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të sigurohemi që kur të vijnë zgjedhjet, gjithçka të zhvillohet në një frymë demokratike, pa frikësim politik dhe dhunë fizike. Ky është qëndrimi ynë dhe do ta diskutojmë javën e ardhshme me kolegët e mi", tha Sholle.
Kur është fjala për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe i pyetur nëse do të vazhdojë të insistojë që politika e jashtme e Serbisë të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së, Sholle deklaron se Serbia duhet të harmonizohet me Evropën për çështjen e Rusisë dhe Ukrainës, nëse dëshiron të jetë anëtare e BE-së.
“Ne jemi sigurisht mirënjohës që Serbia e dënoi luftën e paligjshme dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë në institucionet ndërkombëtare, por nëse Serbia dëshiron të arrijë ambiciet e saj dhe të vazhdojë të integrohet në Evropë, është shumë e thjeshtë - ajo duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e jashtme të BE-së. Ky do të ishte mesazhi ynë”, tha Sholle.
Ai shtoi se dënimi i Rusisë do të jetë një nga temat e takimeve të javës së ardhshme me lidershipin politik serb, por do të diskutohet edhe për zhvillimet në rajon dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Serbisë dhe Amerikës.
komentet