Analistët: Vendimet e Qeverisë janë të paligjshme, nuk mund të jesh njëkohësisht ministër dhe deputet

Vlada Kosova
Burim: Kosovo Online

Vendimet që Qeveria e Kosovës në mandat teknik i miratoi në mbledhjen e 12 gushtit janë të paligjshme, pasi shumica e anëtarëve të kabinetit kanë dhënë betimin si deputetë, pajtohen ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, dhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Qeveria në mandat teknik, në mbledhjen elektronike të mbajtur javën e kaluar, mori 24 vendime, kryesisht për emërimin e komisioneve që duhet të zhvillojnë procesin e përzgjedhjes për pozita të caktuara në ministri, si dhe disa vendime të tjera.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, thekson se të gjitha këto vendime janë në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 26 të Ligjit për Qeverinë.

Ai sqaroi për KosovaPress se këto vendime, megjithatë, nuk mund të shfuqizohen automatikisht, por duhet të iniciohet një procedurë pranë Gjykatës Supreme, e cila duhet të konstatojë se ato janë në kundërshtim me ligjin.

Ai rikujton se Gjykata Supreme e ka shfuqizuar tashmë udhëzimin administrativ të miratuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi kishte dhënë betimin si deputet.

“Këto vendime janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë. Mirëpo, ato nuk mund të shpallen automatikisht ‘të pavlefshme’, por duhet të iniciohet një procedurë gjyqësore. Dispozita është e qartë. Anëtarëve të Qeverisë jo vetëm që u është konfirmuar mandati i deputetit, por ata kanë dhënë edhe betimin në Kuvend. Këta njerëz e kanë shkelur ligjin që e kanë miratuar vetë”, tha Shala.

Edhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thekson se vendimet e Qeverisë aktuale janë të paligjshme.

Ai vëren se ligji në Kosovë nuk lejon ushtrimin e njëkohshëm të dy funksioneve publike.

“Siç përcaktohet në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nuk lejohet ushtrimi i dy funksioneve në të njëjtën kohë. Mendoj se pasojat e këtij lloji të vendimmarrjes mund të jenë jo vetëm kushtetuese dhe administrative, por edhe penale për ata zyrtarë publikë që kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke ushtruar njëkohësisht dy funksione – atë të deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë aktuale”, tha Bugaqku për KosovaPress.