Antonijeviq: Shqetësuese thëniet për veprime diskriminuese ndaj sërbëve në Gazimestan
Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, Millan Antonijeviq, i’u drejtua Rrjetit Europian të Organeve të Barazisë (Equinet) dhe vuri në dukje incidentet gjatë kremtimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke shprehur shqetësim rreth pretendimeve për trajtim diskriminues ndaj pjestarëve të komunitetit sërb.
Shtoi se Vidovdani përfaqëson një nga datat më të rëndësishme në identitetin fetar, historik e kulturor të popullit sërb, për të cilën mënyra sesi kremtohet është tregues i rëndësishëm i respektimit të barazisë, lirisë së besimit, lirisë së shprehjes dhe të drejtës për tubim paqësor, bëhet e ditur në deklaratë nga kabineti i tij.
Tregoi se, sipas informacionit dhe dëshmive në dispozicion, gjatë kremtimit të Vidovdanit u shënuan një sërë incidentesh sikurse kontrolle selektive të sigurisë, marrja e flamujve, heqja e veshjeve me simbole kombëtare e fetare, si dhe ndalimi i një numri të madh pjesëmarrësish, përfshirë të mitur, gra dhe prindër me fëmijë të vegjël.
Veçanërisht shprehu shqetësim për informacionin se disa ekipe mediatike nga Sërbia u penguan dhe u frikësuan gjatë raportimit, ndërsa gazetarë të tjerë u lejuan të kryenin punën pa pengesa.
Në letër theksohet nevoja që urgjentisht të hetohet në mënyrë të pavarur e të paanshme të gjitha pretendimet për sjellje diskriminuese, tejkalim të autoritetit, frikësim të gazetarëve, privim të paligjshëm të lirisë dhe abuzim.
Komisioneri u bëri thirrje të gjithë aktorëve kompetentë të sigurojnë respekt të plotë për të drejtat e komunitetit sërb dhe të të gjitha komuniteteve të tjera në Kosovë, të ndalë çdo formë diskriminimi dhe të mundësojnë që kremtimet fetare e kulturore të mbahen në paqësisht, të sigurt dhe me dinjitet.
Antonijeviq u bëri thirrje anëtarëve të Equinet të vijojnë të ndjekin gjendjen në fushën e mbrojtjes së barazisë, të drejtave të pakicave dhe ndalimit të diskriminimit.
0 komentet