Arifi: Kurti e bëri të pakuptimtë takimin me LDK, prej tij varet dhe përgjigja me PDK
Analisti politik Avni Arifi, për Gazetën Blic, ka thënë se kryeministri kosovar Albin Kurti me përmendjen e numrit të votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit, e bëri të pakuptimtë takimin e me liderin e LDK Lumir Abdixhikun.
Kurti dhe Abdixhiku u takuan sot për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit. Megjithatë takimi nuk dha rezultat pozitiv, pra nuk u arrit marrëveshje, ndërsa Kurti tha se atij i duheshin 84 apo 85 vota për zgjedhjen e presidentit.
“Takimi u mbajt vetëm për të thënë se u takuan. Kurrdo që Kurti përmend 84-85 vota, ai me këtë fyen Abdixhikun dhe e bën të pakuptimtë takimin me LDK. Madje e fton atë dhe i thotë se nuk është i mjaftueshëm”, thotë Arifi.
Përsa i përket takimit me PDK, sipas Arifit, kjo parti ndryshoi strategji dhe nuk lejon Kurtin që “t’a marrë prej hunde“, ndërsa nëse do të ketë marrëveshje me ta, kjo varet prej Kurtit.
“PDK kësaj here ka ndryshuar strategji. A do të ketë marrëveshje apo jo, kjo varet prej Kurtit dhe kur varet prej tij, parashikimet janë të errëta”, ka thënë Arifi për Gazetën Blic.
0 komentet