Banorët e Mitrovicës për tërheqjen e KFOR-it nga ura mbi Ibër: Serbët të shqetësuar për sigurinë, shqiptarët e mirëpresin vendimin
Serbët dhe shqiptarët nga Mitrovica shprehën mendime të kundërta për tërheqjen graduale të KFOR-it nga ura kryesore mbi Ibër, si dhe për paralajmërimet për rihapjen e saj për qarkullim. Ndërsa shqiptarët e mirëpritën këtë vendim, qytetarët serbë theksuan se ndihen të pasigurt.
Serbët janë skeptikë për hapjen e urës për qarkullim dhe të shqetësuar për tërheqjen e KFOR-it.
“Kjo nuk është asgjë e re, prej vitesh flasin se do ta hapin. Kurti ka ndërtuar dhjetë ura. Sa më përket mua, do ta mbyllja përgjithmonë, por nuk më pyet kush”, tha një nga bashkëbiseduesit tanë.
Një qytetar tjetër tha se personalisht nuk ndihet i pasigurt, por se, siç deklaroi, policia i ndalon dhe i keqtrajton të tjerët.
“Kush mund të ndihet i sigurt në Kosovë? Unë nuk ndiej ndonjë presion, por çfarë nuk bëjnë, i mbajnë njerëzit nga pesë ditë, pastaj i lirojnë, sikur gjithçka të ishte në rregull, ndërkohë që i keqtrajtojnë”, vuri në dukje ai.
Një qytetare tha se nuk i pëlqen kjo situatë, por se, siç u shpreh, askush nuk i pyet ata.
“Nuk më pëlqen kjo, por kush na pyet neve? Dihet se kush vendos për këtë”, theksoi ajo.
Një banor tjetër serb i Mitrovicës së Veriut tha se ndihet i pasigurt edhe tani, kur ura është e mbyllur për qarkullim.
“Është e mbyllur dhe ne ndihemi të pasigurt, e lëre më po ta hapin; do të bëhej kaos”, tha ai.
Nga ana tjetër, shqiptarët e mirëpritën vendimin për tërheqjen graduale të KFOR-it, si dhe paralajmërimin e disa politikanëve se ura së shpejti duhet të hapet.
“Kjo është dashur të ndodhte shumë kohë më parë. Unë jam që njerëzit të shëtisin së bashku, të ecin së bashku dhe të takohen. Nuk kam asgjë kundër kësaj”, tha një qytetar i nacionalitetit shqiptar.
Shqiptarët që atë ditë po kalonin nga Mitrovica e Jugut në Mitrovicën e Veriut ishin gjithashtu të kënaqur me vendimin e përmendur.
“Është mirë që ura të hapet, pse jo? Ky është mendimi im”, shtoi një qytetar.
Ura duhet të përdoret nga të dyja palët për qëllime të mira, shtoi një zotëri tjetër.
“Përse është ndërtuar ura? Që ta përdorin qytetarët nga të dyja anët, për të mirë. Ai që mendon ta përdorë për diçka të keqe, nuk është mirë nga mendja”, tha ai.
Edhe sot, në urën kryesore mbi Ibër ndodhej një automjet i karabinierëve, si dhe tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
0 komentet