Lista Sërbe: Kundërshtojmë tërheqjen apo pakësimin e prezencës së KFOR në urën mbi Ibër
Lista Sërbe sot në deklaratë në emër të popullit sërb, ka shprehur kundërshtinë për tërheqjen apo çfarëdo lloj pakësimi të prezencës së pjestarëve të Kfor në urën qëndrore mbi Ibër dhe vuri në dukje se me këtë rast është kërkuar takim urgjent me komandantin e Kfor gjeneralin Ozkan Ulutash.
Lista Sërbe tregon se, duke pasur parasysh situatën jashtëzakonisht komplekse politike dhe të sigurisë, si dhe faktin se hapësira e urës kryesore prej dekadash ka qenë vend tensionesh e konfliktesh serioze, çdo vendim që mund të ndikojë në sigurinë e atij vendi të ndjeshëm duhet të merret me vëmendjen më të madhe të mundshme dhe me vlerësim të plotë për shqetësimet e qytetarëve.
Ndaj, thuhet, kërkuan takim urgjent me komandantin e KFOR në të cilin dëshirojnë të përcjellin shqetësimet serioze të popullit sërb në veri të Kosovës, si dhe kërkesën për ndalimin e këtij aktiviteti.
"Theksojmë veçanërisht se pjestarët e Policisë Kosovare me veprimet e deritanishme nuk kanë ndërtuar besimin e popullit sërb. Përkundrazi, veprimet e tyre në situata të shumta, përfshirë mbështetjen për veprime që ne i konsiderojmë të paligjshme dhe të drejtuara kundër popullit sërb dhe institucioneve të tij, thelluan edhe më, mosbesimin dhe ndjenjën e pasigurisë mes sërbëve", bën të ditur Lista Sërbe.
Kjo e fundit shton se nuk mund të ndikojnë në atë që KFOR zbaton mandatin e besuar nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të KB, por theksojnë se është e papranueshme që çështja e sigurisë në urën kryesore të trajtohet në mënyrë që mund të krijojë pasiguri më shumë mes qytetarëve, veçanërisht në momentin kur tensionet në terren janë të larta.
Lista Sërbe thotë se prania e KFOR në atë vend, për popullin sërb ka rëndësi të veçantë sigurie dhe paraqet faktor të rëndësishëm stabiliteti.
"Ndaj presim që KFOR me seriozitetin më të madh të shqyrtojë shqetësimet e qytetarëve dhe të mos ndërmarrë hapa që mund të rrezikojnë ndjenjën e sigurisë apo të përkeqësojnë më situatën tashmë komplekse në terren. I bëjmë thirrje KFOR të mbajë prani adekuate në urën kryesore dhe me veprimet e veta të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët", shtohet në deklaratën e Listës Sërbe.
Më herët sot, RTK njoftoi se Policia Kosovare pas 27 vitesh, filloi të marrë përgjegjësinë për sigurinë në urën kryesore mbi Ibër, por togeri i Policisë Kosovare Erduan Baliqi për Kosovo Onlajn tha se në urë nuk ka asnjë ndryshim.
Ndërkohë, Misioni i KFOR njoftoi se sot ka nisur integrimi i pjesëtarëve të Policisë Kosovare në arkitekturën e sigurisë së KFOR në Manastirin e Deçanit.
0 komentet