Banorët e Prilluzhës: Na kanë marrë gjithçka, jemi të shqetësuar për mbijetesën tonë
Qytetarët e Prilluzhës janë të shqetësuar pas marrjes së objektit ku deri së fundmi funksiononte Posta e Serbisë nga ana e punonjësve të Postës së Kosovës me asistencë të Policisë së Kosovës, si dhe pas vendosjes së tabelës së Postës së Kosovës. Siç deklaruan për Kosovo online, ata shprehin shqetësimin për mbijetesën e tyre në Kosovë.
Në objektin e Postës së Serbisë në Prilluzhë, i cili është mbyllur më 15 janar, së bashku me Organin e Përkohshëm të Komunës së Vushtrrisë dhe Qendrën për Punë Sociale, tani është vendosur mbishkrimi "Posta e Kosovës", ndërsa përpara objektit ndodhen dy automjete të postës dhe policisë së Kosovës.
Kryetari i Organit të Përkohshëm të Komunës së Vushtrrisë, Millan Kostiq, deklaroi për Kosovo online se kjo është edhe një përpjekje tjetër për të frikësuar serbët.
„Kurti po e shfrytëzon këtë situatë për të shkaktuar pasiguri tek serbët, për të demonstruar forcën – ai nuk ka ndonjë politikë tjetër. Po e shohim prej muajsh se po i mbyll të gjitha institucionet serbe. Mendoj se me këtë ai po dërgon një mesazh të qartë se asnjë serb nuk duhet të jetojë në Kosovë dhe Metohi, dhe e bën këtë me vetëdije. Ai e kupton se nuk mund të formojë shumicën dhe ndoshta po përpiqet të shkaktojë ndonjë incident, të ndezë një shkëndijë që mund të shpërthejë në diçka më të madhe“, tha Kostiq.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen dhe se nuk do të mbesin pa të ardhura.
„Shteti i Serbisë dhe institucionet e shtetit të Serbisë do ta bëjnë punën e tyre. Populli nuk do të mbetet pa paga, as pa shërbime. Do ta kalojmë edhe këtë – kemi kaluar përballje edhe me perandori shumë më të mëdha, e jo me Kurtin dhe bashkëmendimtarët e tij“, tha Kostiq.
Banorët e Prilluzhës me të cilët foli ekipi i Kosovo online thonë se situata është shumë e rëndë dhe se po u mohohet e drejta elementare e njeriut.
„Është shumë keq për ne që jetojmë këtu, kjo është e tmerrshme për mbijetesën tonë – na kanë marrë gjithçka, tani vetëm na mungon të na marrin edhe të drejtën për të jetuar dhe për të marrë frymë“, tha Angellina Naçiq.
Ajo shpreh frikën se do të vazhdojë marrja nën kontroll e institucioneve serbe.
„Ka mbetur vetëm arsimi dhe shëndetësia, edhe ato do t’i marrin, dhe pastaj s’ka më Kosovë për ne. Serbia duhet të reagojë ndaj kësaj që po ndodh, ose duhet të shpërngulemi të gjithë“, tha Naçiq.
Një tjetër banore e Prilluzhës tregon se qytetarëve u janë ndërprerë të gjitha shërbimet.
„Tani, për çdo gjë të vogël në këtë fshat të madh, përkundër se kemi pasur postën tonë, duhet të shkojmë diku më larg, ndërsa kjo të mbetet e mbyllur. Nuk e di ku çon kjo, nuk është mirë. Duhet të paguaj 20 euro për të shkuar në Rashkë ose në Kurshumli për të marrë pensionin, ndërsa më parë e merrja këtu. As komunën nuk e kemi më. Çfarë ka mbetur tjetër, vetëm shkolla dhe ambulanca. Rrahin, arrestojnë të pafajshëm. Nëse kam bërë ndonjë gabim, le të më arrestojnë, por e di se po arrestojnë njerëz të pafajshëm“, tha banorja e këtij fshati.
0 komentet