Kos: Bashkimi Evropian është i gatshëm për raunde të reja të zgjerimit
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Bashkimi Evropian është i gatshëm për raunde të reja të zgjerimit, me të cilat shpreson se do të bëhet më i fuqishëm.
Kos, pas takimit ministror të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Athinë, deklaroi se në rajon janë dy vende që kryesojnë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian – Mali i Zi dhe Shqipëria, duke shprehur shpresën se ato do t'i inkurajojnë edhe vendet e tjera në këtë rrugë.
“Kemi mundësi të përparojmë në procesin e anëtarësimit, pasi zgjerimi është sërish prioritet i BE-së. Është e qartë se vetëm ato vende që zbatojnë reformat mund të përparojnë”, tha komisionerja.
Ajo theksoi se të gjithë jetojmë në kohë sfiduese gjeopolitike, prandaj procesi i zbatimit të reformave dhe zgjerimit është i rëndësishëm për BE-në.
“Mesazhi është i qartë se BE-ja është e gatshme për raunde të reja të zgjerimit. Natyrisht, kemi propozuar edhe disa përshtatje. Shpresoj se me raundet e ardhshme të zgjerimit do të bëhemi më të fuqishëm”, tha Kos.
Ajo shtoi se është veçanërisht e kënaqur që takimi po mbahet në Athinë, pasi Bashkimi Evropian mbështetet te Greqia në këtë drejtim.
“Llogarisim që presidenca greke, në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, të angazhohet fuqishëm në procesin e zgjerimit”, shtoi Kos.
0 komentet