Von der Leyen: Zgjerimi i BE-së është imperativ strategjik, vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor duhet të përshpejtojnë reformat
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi sonte pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një imperativ strategjik për Evropën dhe se ekziston një momentum i rëndësishëm për avancimin e procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate.
“Jam e bindur se zgjerimi është një imperativ strategjik për Evropën dhe se ky momentum sot është real”, deklaroi Von der Leyen, duke shtuar se ai duhet të shfrytëzohet për të përparuar drejt anëtarësimit.
“Nëse shikoni të gjitha negociatat që po zhvillojmë, jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur më shumë se 100 kapituj gjatë këtij viti. Ky është një përparim i jashtëzakonshëm, që vjen në një moment vendimtar. Bota përreth nesh po ndryshon me shpejtësi. Sa më e fuqishme dhe e bashkuar të jetë Evropa, aq më mirë mund të përballet me sfidat”, shpjegoi Von der Leyen.
Ajo vuri në dukje se zgjerimi i BE-së kërkon përkushtim nga të dyja palët, duke shtuar se Bashkimi Evropian ka analizuar se çfarë nënkupton zgjerimi për institucionet e tij.
Duke folur për përparimin e vendeve kandidate nga rajoni, presidentja e Komisionit Evropian tha se Mali i Zi po i afrohet përfundimit të negociatave të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria po përparon me një ritëm mbresëlënës.
Ajo kujtoi se BE-ja ka prezantuar udhërrëfyes për këto dy vende, të cilët përcaktojnë prioritete dhe objektiva të qarta për aktivitetet e ardhshme, duke shprehur dëshirën që edhe vendet e tjera të ndjekin të njëjtën rrugë.
Gjithashtu, ajo theksoi se afrimi i qytetarëve dhe ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian nuk duhet të presë deri në momentin e anëtarësimit të plotë, duke përmendur integrimin gradual dhe Planin e Rritjes si mekanizma për arritjen e këtij objektivi.
“Duam t'u mundësojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut tonë të përbashkët, edhe para anëtarësimit. Prandaj, në fillim të vitit do të hartojmë plane për hapjen e sektorëve të caktuar, të përshtatura për secilin vend, ndërsa vendet e rajonit duhet të zbatojnë reformat për të krijuar kushte të barabarta për të gjithë. Ky proces reformash shoqërohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe tashmë po i shohim rezultatet”, tha Von der Leyen.
Ajo vuri në dukje se niveli i zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes ka arritur në 63 për qind dhe se këto reforma mundësojnë lirimin e 300 milionë eurove shtesë për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ajo theksoi gjithashtu se kanë filluar negociatat për heqjen e tarifave të roamingut me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Kosovën.
“BE-ja është e gatshme të kryejë pjesën e saj të punës dhe jam e bindur se së bashku mund ta shndërrojmë këtë moment në një proces të qëndrueshëm”, theksoi Von der Leyen.
0 komentet