Demo Berisha: Këshilli Kombëtar i Pakicës Shqiptare vazhdimisht refuzon dialogun
Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Shoqëror i Serbisë, Demo Berisha, i ka përcjellë sot shefit të Misionit të OSBE-së në Serbi, Marcel Pesko, se Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare vazhdimisht refuzon çdo lloj dialogu dhe bashkëpunimi me Ministrinë përkatëse, duke shtuar se është i gatshëm për bisedime sa herë që kjo t’i përshtatet palës tjetër.
Berisha dhe Pesko kanë biseduar për çështje me rëndësi për avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare dhe për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit institucional, ndërsa Berisha ka theksuar se Ministria që ai drejton është e përkushtuar në përmirësimin e kornizës institucionale dhe në zbatimin konsekuent të ligjeve, me qëllim krijimin e një ambienti besimi dhe barazie për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare.
Ndër temat e takimit ka qenë edhe gjendja dhe pozita e pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe rëndësia e komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet organeve shtetërore dhe këshillave kombëtare, bëri të ditur Ministria.
Berisha ka theksuar faktin shqetësues, siç u shpreh ai, se Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare vazhdimisht refuzon çdo formë dialogu dhe bashkëpunimi me Ministrinë përkatëse.
Në këtë drejtim, ai ka shprehur gatishmërinë që të takohet me palën tjetër në një termin dhe në një lokacion që i përshtaten plotësisht palës tjetër, me qëllim vazhdimin e dialogut dhe shqyrtimin e çështjeve me interes të përbashkët.
„Qasja jonë është e qartë – dyert e Ministrisë janë të hapura dhe jemi të gatshëm të dëgjojmë të gjitha propozimet dhe vërejtjet, por njëkohësisht presim përgjegjësi dhe gatishmëri për bashkëpunim, sepse mungesa e komunikimit nuk u sjell dobi qytetarëve që këshillat kombëtare i përfaqësojnë, por vetëm e vështirëson zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat ata përballen“, ka deklaruar Berisha.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, ndër të cilët është edhe OSBE-ja, me konstatimin se qëllimi i përbashkët është ruajtja e stabilitetit, respektimi i të drejtave dhe ndërtimi i një shoqërie ku dallimet perceptohen si pasuri, e jo si pengesë.
0 komentet