Diaspora maqedonase kërkon që Kurti të shpallet person i padëshiruar në Maqedoninë e Veriut

Organizata "Diaspora e bashkuar maqedonase" e ka cilësuar vizitën e djeshme të kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut dhe aktivitetet e tij të organizuara në bashkëpunim me opozitën shqiptare të këtij vendi si "puç shtetëror kulturor" dhe kërkoi prej qeverisë në Shkup që Kurti të shpallet person i padëshiruar, transmeton Reporteri.
Sipas diasporës maqedonase, Kurti dhe opozita shqiptare deklaruan të premten "fitoren e popullit shqiptar në mbarë hapësirën e ish Jugosllavisë".
"Fitoren e pati deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili në mes të Shkupit ndërroi emrin e rrugës nga "Brigada e dytë maqedonase" në rrugën "Adem Demaçi". Duke hequr emrin e brigadës që çliroi dhe vepronte pothuajse në të gjitha frontet në rajonin qëndror dhe lindor të Maqedonisë, si dhe në frontin e Sremit në Sërbi, Kroaci dhe Slloveni, ballistët shqiptarë arritën fitore kulturore në qendër të Maqedonisë në Shkup. Diaspora e bashkuar maqedonase dënon këtë akt si kërcënim për kulturën, kombin dhe grusht shteti në të cilin një kryeministër i huaj shpall fitoren në mungesë të liderit politik maqedonas (mikpritësit)” thuhet në reagimin e diasporës.
Diaspora e bashkuar maqedonase kërkon prej qeverisë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti të shpallet person i padëshiruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
"Kërkojmë prej qeverisë së Maqedonisë së Veriut të përcjellë notë proteste Kosovës, të shpallë Albin Kurtin person të padëshiruar, të çelë bisedime serioze me bllokun shqiptar në këtë akt total joshtetëror, të rikthejë të gjitha pikat referuese dhe emrat e rrugëve në përputhje me ligjet e Kushtetutës" thuhet në reagimin e tyre.
0 komentet