Drecun: Sa më shumë që KFOR-i betohet në Rezolutën 1244, aq më pak e zbaton mandatin e vet

Milovan Drecun
Burim: Kosovo online

Kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të Kuvendit të Serbisë, Millovan Drecun, theksoi se vendimi i KFOR-it për rikonfigurimin e mandatit dhe përfshirjen e institucioneve të sigurisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë është i papranueshëm, sepse pikërisht këto forca të Kosovës marrin pjesë në ushtrimin e terrorit ndaj serbëve.

Drecun tha për RTS-në se vendimi ishte i pritshëm, duke pasur parasysh se disa muaj më parë KFOR-i paralajmëroi se, për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë, do ta kthente praninë e vet në nivelin para vitit 2023.

“Atëherë ishte plotësisht e qartë se një pjesë të mandatit dhe të kompetencave të veta do t’ua transferonte institucioneve të sigurisë së Kosovës, megjithëse pikërisht këto institucione janë faktori kryesor në rrezikimin e sigurisë dhe ushtrimin e terrorit ndaj popullit serb”, shpjegoi Drecun.

Ai theksoi se “sa më shumë që KFOR-i betohet në Rezolutën 1244, aq më pak e zbaton mandatin e vet”.

“Nuk është për t’u habitur që gjenerali turk është vendosur për herë të dytë në krye të KFOR-it, sepse duhet të kryejë punët e pista dhe të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të institucioneve të sigurisë së Kosovës”, është i bindur Drecun.

Ai rikujtoi se KFOR-i ka lejuar transportimin e armëve vdekjeprurëse në Kosovë, megjithëse kjo ndalohet me Rezolutë, se lejon terrorin ndaj serbëve dhe rrënimin e shtëpive me asistencën e Policisë së Kosovës, të cilën tani po e përfshin në ruajtjen e Manastirit të Deçanit.

Drecun tha se në periudhën e ardhshme mund të pritet zvogëlimi i pranisë së KFOR-it dhe se, meqë deklarojnë se do të vazhdojnë të jenë të dukshëm në Kosovë, do të mbeten si një lloj vëzhguesi, ngjashëm me EULEX-in.

“Se sa është përmirësuar situata e sigurisë shihet në veri të Kosovës, ku numri i serbëve është zvogëluar me 18 për qind, sepse nuk kanë kushte normale për jetë. Ajo që po bën KFOR-i është e papranueshme dhe përbën një veprim të gabuar”, theksoi Drecun.

Ai vuri në dukje se KFOR-i deklaroi se vazhdon të mbetet forca e parë e sigurisë që do të reagojë në zonën e Manastirit të Deçanit, por kur duhet të reagojë në veri, pohon se është vetëm hallka e tretë në reagimin e sigurisë.

“Në këtë mënyrë krijojnë qëllimisht paqartësi, në mënyrë që ta interpretojnë situatën si t’u përshtatet. Kur nuk duan të ndërhyjnë, thonë se janë forca e tretë në zinxhirin e sigurisë”, theksoi Drecun.

Ai nënvizoi se KFOR-i po ia dorëzon Policisë së Kosovës përgjegjësinë për t’u kujdesur për sigurinë e manastirit, pikërisht institucionit që rrezikon besimtarët dhe objektet fetare serbe.

Sipas tij, ky vendim është shqetësues, sepse mund të priten hapa të tjerë.

“Kam frikë se do të gjendemi në një situatë ku do të hiqet dorë nga marrëveshja sipas së cilës FSK-ja nuk mund të hyjë në veri pa miratimin e komandantit të KFOR-it, ose se një gjë e tillë do të tolerohet. Formimi i paralajmëruar i xhandarmërisë duhet të shërbejë për krijimin e një formacioni klasik ushtarak nën maskën e policisë, pjesëtarëve të të cilit nuk u nevojitet miratimi i komandantit të KFOR-it”, paralajmëroi Drecun.

Ai theksoi se veprimet e paralajmëruara në urën mbi Ibër dhe përreth Manastirit të Deçanit e rrisin në maksimum rrezikun ndaj komunitetit serb dhe mbijetesës së tij.

Ai vuri në dukje gjithashtu se nuk duhet pasur iluzion se ky nuk është një plan, sepse, siç është i bindur, të gjitha veprimet janë bashkërenduar me Prishtinën.

“KFOR-i në të vërtetë po i përmbush kërkesat e Albin Kurtit. Këto janë kërkesat e tij, si në lidhje me urën dhe Manastirin e Deçanit, ashtu edhe kur bëhet fjalë për praninë e shtuar të njësive speciale në veri. E gjithë kjo po dakordohet. Pyetja e vetme është: çfarë tjetër është dakorduar?”, vërejti Drecun.

Lidhur me deklaratën e KFOR-it se mbetet forca e parë reaguese kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Manastirit të Deçanit, ai pyeti se përse atëherë KFOR-i nuk është forca e parë reaguese në të gjithë Kosovën, kudo që serbët janë të rrezikuar dhe arrestohen.

“Ku jeni që të reagoni? Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, KFOR-i në asnjë mënyrë nuk mund të jetë hallka e tretë. Nga një interpretim i tillë i mandatit të KFOR-it, si edhe nga operacionalizimi dhe dislokimi i tij, shihet se KFOR-i është këtu vetëm për të garantuar mbijetesën e shtetit të rremë të Kosovës dhe për asgjë tjetër”, konstatoi Drecun.

Duke komentuar heqjen e flamurit ukrainas nga qendra e Prishtinës, Drecun tha se presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, i ka shuar të gjitha shpresat se ai vend mund ta njohë Kosovën.

“Kurti, Prishtina dhe të gjithë separatistët e tjerë shqiptaromëdhenj dëshironin të përfitonin dhe të peshkonin në ujëra të turbullta, në mënyrë që, mbi bazën e retorikës antiruse, të realizonin disa nga interesat e tyre, duke e akuzuar Beogradin se, në marrëveshje me Moskën, përbën faktor destabilizues në rajon dhe se ka synime agresive ndaj Kosovës. Synimi i tyre ishte t’i bënin qejfin Ukrainës dhe të përpiqeshin t’ia ndryshonin qëndrimin mbi bazën e kësaj retorike antiruse”, shpjegoi Drecun.

Në Prishtinë shpresonin se situata mund të ndryshonte dhe se Kosova do të kishte për Ukrainën rëndësi më të madhe gjeopolitike sesa Serbia, e cila është vendi kyç në Ballkanin Perëndimor.

“Mendoj se Zelenski ka shuar çdo shpresë se do të ndryshojë qëndrimi i Ukrainës. Si mund të kërkojë Ukraina që të respektohet integriteti i saj territorial, nëse do ta njihte shkëputjen e paligjshme të një pjese të territorit tonë? Prandaj tani janë të zhgënjyer”, tha Drecun, duke shtuar me ironi se “ukrainasit janë shqetësuar jashtëzakonisht shumë” për shkak të heqjes së flamurit.