Fajon: Kosova duhet të bëjë përpjekje për të themeluar BKS
Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, shprehu shpresën e saj se Beogradi dhe Prishtina do të përfitojnë nga mundësia aktuale që ofron propozimi evropian, sepse është e vështirë të thuhet se kur do të paraqiten mundësi të reja.
Fajon, në një prononcim për të përditshmen vjeneze "Standard", e pyetur se çfarë mendon për propozimin gjermano-francez, tha se Kosova duhet të bëjë përpjekje reale për të themeluar Bashkësinë e Komunave Serbe dhe për të siguruar integrimin dhe mirëqenien e pjesëtarëve të komunitetit serb.
“Është e rëndësishme që të dyja palët të tregojnë përmbajtje dhe të bëhet gjithçka për të vazhduar dialogun. Kur bëhet fjalë për propozimin europian, e kuptoj se po flasim për vendime politike shumë të vështira me shumë pasoja të mundshme. Megjithatë, shpresoj që edhe Beogradi edhe Prishtina, në krye me politikanët e tyre, të gjejnë një mënyrë për të përfituar nga ky moment. Është e vështirë të thuhet se kur do të shfaqen sërish mundësi të reja”, shpjegoi ajo.
Në pyetje nëse marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mund të kufizojë ndikimin e Rusisë në Serbi, Fajon tha se nuk e kupton pse shtrohet çështja e ndikimit të Rusisë.
“Mendoj se ditët e fundit kemi parë deklarata më positive nga udhëheqja serbe”, ka theksuar ajo.
Sa i përket Serbisë dhe Kosovës, Fajon tha se tani pret pjekuri dhe mençuri nga lidershipi i të dyja vendeve.
“E kuptoj që është një situatë shumë e ndërlikuar dhe e vështirë, por këtë vit është e mundur të bëjmë një hap të madh përpara”, nënvizoi ajo.
E pyetur nëse Sllovenia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ajo ka shpjeguar se nuk është kundër, por shton se nuk beson se kjo temë aktualisht është në tryezë.
0 komentet