Gavrani: Kurti duhet të tregojë përgjegjësi ndaj popullit që jeton në Kosovë

Mimoza Gavrani
Burim: Kosovo online

Analistja politike nga Prishtina, Mimoza Gavrani, ka thënë për Kosovo online se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend që të bëjë deklarata që duan t'i dëgjojnë votuesit e tij, duhet të interesohet drejtpërdrejt për serbët dhe komunitetet tjera në Kosovë dhe të shohë se cilat janë problemet e tyre, dhe cila është situata në të cilën ndodhen.

Gavrani thekson se dialogu i djeshëm ka qenë i rëndësishëm, sepse është organizuar katër muaj pas takimit të fundit, por që nuk ka pasur ndonjë rezultat pozitiv.

“Fatkeqësisht, Kosova shkoi në këtë raund të dialogut nën sanksionet e shteteve perëndimore dhe të gjithë e dimë se këto sanksione i dhanë një pozitë të keqe Kosovës dhe të ardhmes së saj. Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të flasim për këtë dhe të dimë se zoti Borel, Evropa dhe Amerika janë ende të interesuara dhe po i japin mbështetje Serbisë dhe Kosovës për të vazhduar procesin e dialogut. Siç e pamë dhe e prisnim të gjithë, rezultati i këtij takimi nuk ishte pozitiv për sa i përket procesit dhe dialogut dhe ecjes përpara në atë process, kështu që, mendoj se rezultati i fundit i dialogut e vendos Kosovën në një pozitë të keqe. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që zoti Kurti të ketë një agjendë të saktë se si do të vazhdojmë në këtë proces”, tha Gavrani.

Lajmi i mirë, thekson ajo, është se situata aktuale në veri është e qetë.

“Por kjo nuk na jep asnjë garanci se do të jemi të relaksuar dhe nuk do të bëjmë asgjë në lidhje me pjesët serbe ku duhet të organizojmë disa aktivitete të tjera që do ta pajtojnë situatën”, tregon Gavrani.

Deklaratat që erdhën nga BE dhe SHBA pas dialogut tregojnë se ende nuk ka një plan se cilat do të jenë hapat e ardhshëm, vlerëson Gavrani.

“Por mendoj se kjo situatë sigurisht që nuk jep ndonjë raport pozitiv sa i përket politikës në Kosovë dhe politikës së udhëhequr nga zoti Kurti. Mendoj se është e rëndësishme që edhe ai të jetë në dijeni të këtyre hapave, që nuk janë hapa që i japin mbështetje Kosovës. Mendoj se në këto takime të vështira dhe në këto momente të vështira, Kosova duhet të jetë stabile në këtë proces dhe të ketë njerëz që janë të gatshëm të marrin vendime të rëndësishme në momente të rëndësishme. Të gjithë e dimë se zoti Kurti ka disa agjenda të veta politike më shumë që synojnë popullaritetin sesa politikën aktive, që do të ndihmonte Kosovën dhe Ballkanin”, tha bashkëbiseduesja ynë.

Ajo thekson se mbështetja e Lajçakut dhe Borelit duhet të përdoret në mënyrën më të mirë kur është fjala për dialogun.

“Dje edhe opozita në Kosovë kishte propozime të drejtpërdrejta për zotin Kurti, njëri ishte që ai të mos ishte më kryeministër i Kosovës dhe tjetri ishte që të kemi një lider tjetër në Kosovë që do të ishte i gatshëm ta merrte këtë përgjegjësi dhe të ecë përpara në procesin e dialogut dhe në procese të tjera, marrëveshje që ne nuk kemi mundur t'i zbatojmë”, tha Gavrani.

Gavrani vlerëson se komentet e Kurtit i drejtohen më së shumti votuesve të tij dhe se kjo nuk është ajo që populli i Kosovës e pret prej tij.

“Nuk është politika e tillë që do t'i ndihmonte serbët dhe Kosovën në përgjithësi në këtë proces në të cilin ne jemi aktualisht. Mendoj se do të ishte mirë që zoti Kurti të interesohej drejtpërdrejt për atë që i shqetëson serbët në Kosovë, cilat janë problemet e tyre, në çfarë gjendje janë ata dhe në të njëjtën kohë të ishte i përgjegjshëm ndaj njerëzve që jetojnë në Kosovë, t'u dhënë atyre shpresë për të ardhmen se edhe serbët janë pjesë e rëndësishme e këtij vendi. Në fund të fundit, kjo është gjithçka që kemi nga plani i Ahtisarit, i cili është i rëndësishëm, jo vetëm për serbët, por edhe për të gjitha komunitetet e tjera që duhet të përfshihen aktivisht dhe të kenë një politikë që i ndihmon ata të integrohen në këtë sistem”, konsideron Gavrani.

Sipas fjalëve të saj, Kurti bën sugjerime që janë popullore, por nuk është ai që vendos kur të përfundojë dialogu.

“Zgjedhjet në veri janë hapi i parë që duhet të organizojë qeveria e Kurtit, por edhe duhet të jetë e vetëdijshme për koordinim me të gjithë në këtë vend që janë ende të gatshëm dhe politikisht të interesuar për të mbështetur Kosovën. Nëse këto nuk janë hapa përpara, atëherë Kurti duhet të përfundojë mandatin e tij, atëherë të gjithë do të shohim se ai nuk mund të pranojë vendime të vështira për të ardhmen e Kosovës dhe është një pozicion ku do të shohim se Kurti nuk është një lider politik që do të ishte në gjendje t'i ndërmarrë këto hapa të rëndësishëm për Kosovën. Kosova duhet të ketë njerëz apo liderë të tjerë që janë të gatshëm, të cilët e dinë se Kosova tani është në një situatë ku duhet të ndërmarrë disa hapa dhe të jetë në një situatë për të përgatitur një terren në mënyrë që serbët, por edhe të gjithë njerëzit e tjerë që jetojnë këtu, të ndjehen të sigurt, të kenë pak shpresë për të jetuar në këtë vend”, tha Gavrani.

Bashkimi Evropian mohoi sot se propozimi i Kurtit ishte i vetmi në tryezën e Brukselit, ndërsa Gavrani thotë se liderët pas takimit kanë bërë deklarata të ndryshme.

“Mendoj se mund të jetë një lëvizje e Kurtit, sepse askush nuk e di se çfarë kanë thënë Kurti, Vuçiq dhe Borel në takim dhe kur i kemi dëgjuar deklaratat e tyre nuk kanë qenë të njëjta, dhe ne pyesim veten nëse ata ishin edhe në të njëjtin takim”, tha Gavrani.

Është e rëndësishme, thotë Gavrani, që tani të lihen mënjanë interesat personale.

“Në këto procese, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme për Kosovën, mendoj se është më e nevojshme që të ketë liderë, jo njerëz që janë aty për të mbrojtur qëndrimet e tyre personale, që nuk është demokraci dhe politikë e shekullit të 21-të”, ka përfunduar Gavrani.