Gjuriq dhe Sijarto hapën Zyrën Konsullore të Hungarisë në Konsullatën e Serbisë në Selanik

Marko Đurić i Peter Sijarto otvorili konzularnu kancelariju Mađarske
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Hungarisë, Peter Sijarto, hapën sot Zyrën Konsullore të Hungarisë, e cila, sipas sistemit të kolokacionit të përfaqësive diplomatiko-konsullore, ndodhet në Konsullatën e Përgjithshme të Serbisë në Selanik.


Ceremonia nisi me intonimin e himneve të Serbisë, Hungarisë dhe Greqisë, pas së cilës Gjuriq dhe Sijarto prenë së bashku shiritin dhe zbuluan tabelën e Zyrës Konsullore të Hungarisë.

Shefi i diplomacisë serbe theksoi se në kohë kur marrëdhëniet ndërkombëtare po bëhen gjithnjë e më të pasigurta, besimi është shndërruar në një nga “monedhat më të rralla” në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe pikërisht në rrethana të tilla, partnerët dhe miqtë te të cilët mund të kesh besim dhe mbështetje janë më të rëndësishëm se kurrë.

“Shpesh them se shprehja më e madhe e miqësisë nuk gjendet në fjalë apo protokolle, por në vepra. Dhe ndoshta një nga veprat më domethënëse është pikërisht vendimi për të ndarë të njëjtën çati. Sot, Serbia dhe Hungaria po bëjnë pikërisht këtë”, theksoi Gjuriq.

Ai nënvizoi se me hapjen e një hapësire të përbashkët diplomatike në Selanik dërgohet një mesazh i qartë se pajtimi mund të shndërrohet në besim, besimi në partneritet, e partneriteti në një unitet real dhe të prekshëm.

“Përfaqësitë e përbashkëta diplomatiko-konsullore nuk janë vetëm një zgjidhje racionale dhe efikase – ato janë një simbol i fuqishëm i mbështetjes së ndërsjellë. Ato u tregojnë vendeve të treta se e shohim njëri-tjetrin si partnerë me të cilët mund të planifikojmë, të veprojmë dhe të përballemi së bashku me pasigurinë”, tha Gjuriq.

Ai shtoi se partneriteti strategjik serbo-hungarez është “i gjallë dhe dinamik” dhe se nuk pasqyrohet vetëm në deklarata, por në bashkëpunimin e përditshëm, harmonizimin politik dhe në mirëkuptimin e përbashkët se interesat kombëtare të të dyja shteteve mbrohen më së miri kur ato punojnë së bashku, e jo paralelisht.

Gjuriq paralajmëroi se, përveç përfaqësive të përbashkëta tashmë të hapura, “kolokacione” të reja mund të hapen së shpejti në vende si Tanzania dhe Vietnami.

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Sijarto, theksoi se për turistët hungarezë në Greqi, numri i të cilëve po rritet vazhdimisht, do të jetë shumë e rëndësishme të kenë mundësinë të kryejnë shërbime konsullore në Selanik, duke kujtuar se vitin e kaluar mbi 600.000 hungarezë vizituan Greqinë.

“Po rritet edhe numri i martesave të përziera dhe gjithnjë e më shumë hungarezë punojnë në kompani ndërkombëtare në Greqi. Kjo ka krijuar nevojën për mbështetje më të madhe konsullore për shtetasit hungarezë”, shpjegoi Sijarto.

Sipas tij, kjo është kolokacioni i pestë i përfaqësive diplomatiko-konsullore të dy vendeve, pas hapjes së hapësirave të përbashkëta në Kili, Kongo, Zambi dhe Maltë.

Ai vuri në dukje se funksionimi i përbashkët i misioneve diplomatike mes dy vendeve përbën një dëshmi shumë të qartë të ekzistencës së nivelit më të lartë të mundshëm të besimit të ndërsjellë.

“Nuk ka shenjë më të fortë për të treguar dhe reflektuar një nivel kaq të lartë besimi të ndërsjellë sesa puna e përbashkët e misioneve diplomatike. Meqenëse një formë e tillë bashkëpunimi kërkon nivelin më të lartë të besimit reciprok, ajo është shumë e rrallë. Në rastin tonë, një formë e tillë bashkëpunimi ekziston ekskluzivisht me fqinjin tonë, Serbinë”, tha Sijarto.

Ai shtoi se në javët në vijim do të hapet hekurudha e shpejtë mes Beogradit dhe Budapestit, duke kujtuar se janë në zhvillim bisedimet mes MOL-it dhe NIS-it për blerjen e pjesës ruse të pronësisë së kompanisë, çka, sipas tij, do të mundësojë menaxhimin e koordinuar të tregjeve të naftës të tre vendeve të Evropës Qendrore – Serbisë, Hungarisë dhe Sllovakisë.

“Kjo do të zvogëlojë pothuajse plotësisht të gjitha mangësitë që rrjedhin nga fakti se këto vende nuk kanë dalje në det, ndërsa një transaksion i tillë do të sigurojë një nivel sigurie të furnizimit që nuk ka ekzistuar deri më tani, si dhe stabilitet çmimesh që nuk e kemi përjetuar më parë”, tha Sijarto.

Dy ministrat zhvilluan gjithashtu një takim bilateral.

Hapjes së Zyrës Konsullore të Hungarisë në Konsullatën e Serbisë në Selanik i morën pjesë edhe ambasadori i Serbisë në Greqi, Nikolla Nedelkoviq, konsullja e përgjithshme në Selanik, Jellena Vujiq Obradoviq, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Dushan Kozarev, si dhe diplomatë të shumtë serbë dhe hungarezë.