Gjuriq: E njoftova Hercogun me luftën e popullit tonë në Kosovë kundër diskriminimit
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se gjatë takimit të sotëm e ka njoftuar presidentin e Izraelit, Isak Hercog, me pozitën dhe luftën e popullit serb në Kosovë kundër diskriminimit, për barazi dhe për një jetë të dinjitetshme.
“Folëm shumë për atë se çfarë mund të bëjmë tani që marrëdhëniet me Izraelin i kemi ngritur në nivel të partneritetit strategjik dhe e kemi ngritur besimin në një nivel të ri. U diskutua se çfarë mund të bëjmë në këtë kontekst në trekëndëshin – Serbia, Izraeli, Amerika. Ky vend, Izraeli, ka partneritet strategjik me SHBA-të. Vëllai i presidentit Hercog, Majk Hercog, i cili është një mik që e njoh mirë, ka shërbyer në Uashington si ambasador i Izraelit në kohën kur edhe unë shërbeja. Ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë së bashku”, tha Gjuriq.
Ai theksoi se vizita në Izrael ishte shumë e suksesshme dhe se i ka ngritur marrëdhëniet dypalëshe me këtë vend në një nivel më të lartë.
“Presidenti Hercog më kërkoi që t’i përcjell presidentit Vuçiq një ftesë për të vizituar Izraelin. U binda se Serbia dhe presidenti Vuçiq personalisht gëzojnë këtu pothuajse një status kult. Jo vetëm për shkak të asaj që po ndodh tani dhe faktit që kemi mirëkuptim të ndërsjellë në kohë të vështira, por edhe sepse ky vend e kujton atë që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore kur serbët mbronin dhe shpëtonin hebrenjtë, kur kemi vuajtur së bashku sepse të dy popujt konsideroheshin si më të ulët. Kujtojnë gjithashtu edhe periudhat e mëhershme kur mjedisi në të cilin jetonin serbët ka qenë gjithmonë i hapur vëllazërisht për bashkëjetesë me popullin hebre. Nuk ka pasur asnjë takim që nuk i është mundësuar delegacionit serb – nga takimet me kryeministrin dhe presidentin, dialogu strategjik me ministrin e jashtëm, me kryetarin e parlamentit dhe me kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të parlamentit”, theksoi Gjuriq.
Siç tha ai, sonte në Jerusalem do të themelohet Dhoma Ekonomike Serbo-Izraelite, një asociacion ekonomik i kompanive izraelite që operojnë në Serbi dhe kompanive serbe që veprojnë në Izrael.
“Të gjitha këto janë hapa të mëdhenj dhe të rëndësishëm për forcimin e pozicionit tonë këtu, dhe sa i rëndësishëm është Izraeli në botë dhe sa është një hallkë e rëndësishme në marrëdhëniet tona me SHBA-të dhe shumë vende të tjera, nuk ka nevojë të shpjegohet”, deklaroi Gjuriq.
Sipas tij, ai është përpjekur të shfrytëzojë faktin që një pjesë të jetës dhe fëmijërisë e ka kaluar në Izrael, për të theksuar afërsinë historike midis dy popujve.
“Këtu vërtet ndihemi mirë, Serbia respektohet dhe vlerësohet, si në shtëpinë tonë”, tha Gjuriq.
0 komentet