Gjuriq në Jerusalem: Dialogu strategjik me Izraelin është një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi sot në Jerusalem se Serbia dhe Izraeli, si vende me qëndrime të ngjashme për çështjet kyçe ndërkombëtare, kanë interes të qartë kombëtar për të avancuar më tej marrëdhëniet dhe theksoi se nisja e dialogut strategjik mes dy shteteve është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Ai shtoi se i ka informuar nikoqirët izraelitë për pozitën e popullit serb në Kosovë, ku, sipas tij, të drejtat e serbëve janë zvogëluar gjatë tre viteve e gjysmë të fundit.
Në konferencën e përbashkët për media me shefin e diplomacisë izraelite, Gideon Sar, Gjuriq theksoi se është e nevojshme të forcohet bashkëpunimi mes vendeve që ndajnë qëndrime të ngjashme, në një botë që po ndryshon me shpejtësi dhe përballet me sfida të paprecedenta.
Si sfida ai përmendi ndryshime që, sipas tij, brenda një brezi janë të krahasueshme me shpikjen e shtypshkronjës apo revolucionin industrial, si zhvillimi i inteligjencës artificiale, por edhe, siç tha, dobësimi praktik i rendit ekzistues global.
“Bisedimet e sotme u përqendruan në një sërë temash, përfshirë avancimin e bashkëpunimit ekonomik. Do të përfundohet një marrëveshje për tregti të lirë që do të hapë gjerësisht dyert për kompanitë serbe dhe izraelite. I jemi mirënjohës Izraelit për pjesëmarrjen në Expo 2027 në Beograd, gjë që është shumë e rëndësishme për ne. Besoj se në shumë fusha të tjera vendet tona po qëndrojnë gjithnjë e më shumë krah për krah”, tha Gjuriq.
Ai theksoi se gjatë planifikimit të kësaj vizite, presidenti Aleksandar Vuçiq i kishte thënë se kjo është aktualisht detyra e tij më e rëndësishme.
“Besoj se sot kemi arritur të thellojmë besimin dhe bashkëpunimin në dobi të të dy popujve tanë. Ju falënderoj për këtë”, tha shefi i diplomacisë serbe.
Ai shtoi se shfrytëzoi rastin për të informuar nikoqirët izraelitë për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor.
“I informova për situatën në rajonin tonë dhe, natyrisht, për pozitën e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, ku të drejtat e serbëve janë zvogëluar gjatë tre viteve e gjysmë të fundit. Po ashtu theksova se Serbia është shtyllë e stabilitetit në rajon dhe i qaset të gjitha çështjeve globale dhe rajonale me synimin për forcimin e stabilitetit, respektimin e së drejtës ndërkombëtare publike dhe krijimin e një ndjenje të përgjithshme normaliteti në këtë botë gjithnjë e më të paqëndrueshme”, theksoi shefi i diplomacisë serbe.
Sipas tij, me një qasje të tillë, si Serbia ashtu edhe Izraeli mund të arrijnë shumë.
Ai falënderoi për miqësinë dhe bashkëpunimin e mirë, duke theksuar se pret me kënaqësi vizitën e Gideon Sar në Beograd.
“Jam shumë i lumtur që kam mundësinë të vizitoj për herë të dytë shtetin e Izraelit si ministër i punëve të jashtme të Serbisë. Kjo pasqyron marrëdhënien e thellë mes dy popujve tanë. Serbia është krenare për faktin se që në vitin 1917 ishte ndër vendet e para që njohu të drejtën e Izraelit për ekzistencë”, tha Gjuriq.
Siç ka shtuar se Serbia ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Izraelit.
“Kemi qëndruar pranë njëri-tjetrit si në kohë të mira ashtu edhe në kohë të vështira. Serbët dhe hebrenjtë gjatë historisë janë përballur me persekutime të ngjashme nga ideologji të ndryshme totalitare”, tha Gjuriq.
Sar: Serbia aleat i besueshëm dhe mik i sinqertë i Izraelit
Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gideon Sar, deklaroi se dialogu strategjik, i vendosur për herë të parë mes Serbisë dhe Izraelit, pasqyron afërsinë dhe lidhjen e thellë mes dy vendeve, si dhe marrëdhëniet e tyre historike.
Sar tha se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në miqësinë mes popujve dhe kanë përballuar kohë të vështira.
Sipas tij, nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, Serbia ka qenë një aleat i besueshëm dhe mik i sinqertë i Izraelit.
Sar theksoi se Izraeli e vlerëson mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Serbisë që nga 7 tetori 2023, si dhe gjatë luftës së fundit.
“Marrëdhëniet mes popujve tanë shtrihen thellë në histori. Komuniteti hebre në Serbi është shumë i vjetër. Fatkeqësisht, ai u shkatërrua brutalisht gjatë Holokaustit. Hebrenjtë dhe serbët ishin viktima të nazistëve. Partizanët luftuan me guxim kundër nazistëve. Kjo tregoi shpirtin e jashtëzakonshëm serb – krenar dhe i guximshëm”, tha Sar.
Ai shtoi se Izraeli është një vend që ka treguar rezistencë të madhe që nga rivendosja e pavarësisë dhe se dy shtetet kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta në dekadat e fundit.
“Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, këto marrëdhënie kanë hyrë në një fazë të re. Dhe të falënderoj, Marko, sepse të dy kemi marrë përsipër këtë mision”, tha Sar.
Ai tha se po zhvillohen negociata për një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Serbisë dhe Izraelit dhe se së shpejti do të mbahet një takim i komitetit ekonomik.
Sar theksoi se Izraeli mezi pret pjesëmarrjen në Ekspo 2027 në Beograd dhe shtoi se së shpejti do të hapet një përfaqësi e përhershme ekonomike e Izraelit në Beograd.
“Sërbia është një aktor strategjik i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe një partner i rëndësishëm në Evropë. Këtë vit e kam vendosur forcimin e lidhjeve me Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ballkani Perëndimor është një rajon gjeografikisht i afërt, me miq të afërt të Izraelit. Stabiliteti i këtij rajoni është thelbësor”, tha Sar.
Ai shtoi se Izraeli vazhdon të mbështesë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit si çelës për një rajon të qëndrueshëm dhe prosperues, me respektimin e të drejtave të të gjithë popujve.
“Mbrojtja e të drejtave të serbëve dhe kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë është thelbësore për stabilitetin rajonal”, theksoi ai.
Duke folur për konfliktin me Libanin, ai tha se Izraeli përballet me “regjimin iranian dhe aleatin e tij terrorist në Liban – Hezbollahun”.
“Është tronditëse që Hezbollahu e ka futur Libanin në luftën iraniane kundër interesave të veta. Këtë e bëri pasi e kishte përfshirë Libanin edhe në luftën e Hamasit në Gaza më 8 tetor 2023. Dhe këtë e kanë bërë përsëri edhe tani”, tha Sar.
Sipas tij, që nga 2 marsi, Hezbollahu ka lëshuar rreth 10.000 predha, raketa dhe dronë drejt Izraelit.
Ai theksoi se Izraeli do të vazhdojë të “çmontojë infrastrukturën terroriste të Hezbollahut përgjatë kufirit”, për të mbrojtur qytetarët e tij.
Sar nënvizoi gjithashtu se Izraeli nuk ka ambicie territoriale në Liban.
“Qëllimet tona janë të qarta. Nuk do të lejojmë që Hezbollahu të realizojë planet e tij të para luftës për pushtim. Do ta parandalojmë që të kërcënojë komunitetet tona kufitare. Synimi ynë është të zbatojmë atë që forcat e armatosura libaneze pretenduan se e kanë bërë që nga armëpushimi i nëntorit 2023, por në fakt nuk e kanë bërë”, tha Sar, duke sqaruar se bëhet fjalë për largimin e infrastrukturës terroriste nga jugu i Libanit.
Ai shtoi se negociatat e drejtpërdrejta me Libanin mund të hapin rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë, por se qeveria libaneze duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer sovranitetin.
Në fund, Sar e falënderoi Gjuriqin për vizitën dhe theksoi miqësinë personale.
“Ju jeni një mik i çmuar dhe një aleat i sinqertë. Faleminderit për rolin tuaj në përpjekjet që i afërmi juaj Alon Ohel të kthehet në shtëpi, së bashku me pengjet e tjera që Hamasi i mbajti në robëri të ashpër”, tha Sar.
Gjuriq theksoi se përmes dialogut strategjik Serbia dhe Izraeli do të jenë politikisht më afër dhe ekonomikisht më të fortë, si dhe do t’i realizojnë më lehtë qëllimet kombëtare.
“Fakti që kemi nisur dialogun e parë strategjik me Izraelin ka rëndësi të madhe. Nuk është vetëm simbolikë, por ka përmbajtje konkrete që do t’u shërbejë qytetarëve të Serbisë dhe Izraelit”, tha ai.
Ai shtoi se dy vendet arrijnë rezultate më të mira kur bashkojnë forcat në fusha të ndryshme.
“Kur flas për një marrëveshje të tregtisë së lirë me një nga ekonomitë më të zhvilluara në botë, me një vend që ka numrin më të madh të shkencëtarëve për frymë, me një shtet që, si ne, ka një diasporë të madhe dhe me ndikim, është e qartë se duke bashkuar forcat mund të arrijmë më shumë”, tha ministri i jashtëm i Serbisë.
Ai shprehu kënaqësi që planet nga viti i kaluar janë realizuar dhe shtoi se pret takimin e ardhshëm në Beograd.
Ndërkohë, Sar, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se Izraeli po regjistron shumë vizita nga vende mike, përfshirë Gjermaninë, Çekinë, Estoninë dhe Serbinë.
“Ndonjëherë kemi edhe vizitorë që duan të vijnë, por u themi ‘jo tani’, sepse duam t’u japim përparësi miqve”, përfundoi Sar.
0 komentet