Gjuriq dhe kryetari i Knesetit Amir Ohana për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Serbisë dhe Izraelit

Marko Đurić i Amir Ohan
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë vizitës në Izrael, zhvilloi një takim me kryetarin e Knesetit, Amir Ohana, për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, forcimin e bashkëpunimit dhe çështjet aktuale gjeopolitike.

“Gjuriq i shprehu bashkëbiseduesit kënaqësinë për takimin e sotëm, veçanërisht sepse po zhvillohet në kohë jo aq të lehta për Izraelin, duke theksuar rëndësinë e tij për forcimin e lidhjeve mes vendeve tona. Në këtë kontekst u diskutua edhe për dialogun strategjik të nisur, si dhe për rëndësinë e takimeve dhe bisedimeve në kuadër të kësaj vizite”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.

Ministri Gjuriq theksoi se Serbia e konsideron Izraelin si një shtet mik, duke nënvizuar se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve lidhen nga një mirëkuptim historik.


Duke shprehur bindjen se vizita aktuale do t’i japë një shtysë shtesë marrëdhënieve të përgjithshme dhe do të kontribuojë në ndërtimin e lidhjeve edhe më të forta, Gjuriq theksoi rëndësinë e avancimit të dialogut politik në nivele të ndryshme, i cili kontribuon në mirëkuptimin e ndërsjellë dhe hap hapësira për bashkëpunim në shumë fusha.

Ai përshëndeti gjithashtu iniciativën për themelimin e Dhomës Ekonomike Izraelo-Serbe, duke vlerësuar se kjo do të ishte një mekanizëm i rëndësishëm për lidhjen e biznesmenëve dhe forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike.

“Shefi i diplomacisë serbe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar, si një urë e rëndësishme bashkëpunimi për afrimin dhe mirëkuptimin më të mirë të dy popujve, veçanërisht duke pasur parasysh edhe vizitën e suksesshme të kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, në Izrael gjatë vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.

Gjuriq shfrytëzoi takimin e sotëm edhe për t’i dërguar një ftesë bashkëbiseduesit për një vizitë në Beograd.