Gjuriq: Ende e pranishme ideologjia që i sheh serbët si një kategori më të ulët që duhet të dëbohet
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, theksoi sot, me rastin e 22-vjetorit të pogromit ndaj serbëve në Kosovë, se Serbia beson në bashkëpunim, por kujton çfarë ka ndodhur dhe nuk harron se ekzistojnë tendenca që trashëgimia e krishterë serbe edhe sot të përvetësohet dhe të rrezikohet në mënyra të ndryshme. Ai paralajmëroi se jo vetëm që askush nuk ka dhënë llogari për krimet, por ideologjia që i sheh serbët si pjesë të problemit është ende e pranishme në jetën politike.
“Sot është një ditë shumë e rëndë për serbët sepse kujtojmë se para 22 vitesh filloi një pogrom i paprecedent ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi. Brenda vetëm disa orësh u dogjën qindra fshatra tona, dhjetëra kisha dhe manastire, ndërsa nga shtëpitë e tyre, nga vatrat e tyre shekullore, u dëbuan 4.000 deri në 5.000 bashkëkombës tanë. Jetën e humbën tetë serbë, ndërsa një numër i madh u plagos”, rikujtoi Gjuriq.
Kreu i diplomacisë serbe tha se edhe 22 vite më vonë jo vetëm që askush nuk është përgjigjur për këto krime, por ideologjia që i sheh serbët si pjesë të problemit, si një kategori më të ulët që duhet të dëbohet, vazhdon të jetë e pranishme në jetën politike.
“Ne besojmë në të kundërtën, në një të ardhme ndryshe si për serbët ashtu edhe për shqiptarët, besojmë në bashkëpunim, e kujtojmë çfarë ka ndodhur, nuk duam të harrojmë se ekzistojnë tendenca që trashëgimia jonë e krishterë edhe sot të përvetësohet dhe të rrezikohet në mënyra të ndryshme”, tha Gjuriq.
Ministri theksoi se është mirënjohës ndaj kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit italian, Stefania Craxi, e cila sot në një takim me rastin e 30-vjetorit të Iniciativës së Evropës Qendrore në Trieste foli për pozitën e popullit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
“Këtë e përmend sepse gjithnjë e më shumë njerëz në botë po e kuptojnë se politika në të cilën një popull, në këtë rast i yni, i nënshtrohet përndjekjes, nuk është e pranueshme. Mendoj se është e rëndësishme të vazhdojmë me ofensivë diplomatike dhe punë të përkushtuar për ta treguar anën tonë të historisë. Nuk është qëllimi ynë të kultivojmë një kulturë viktimizimi dhe mbi të të ndërtojmë të ardhmen, por duhet të rrisim ndërgjegjësimin jashtë kufijve tanë për atë që kemi kaluar”, theksoi Gjuriq.
Ai shtoi se nëse kjo nuk bëhet, të tjerët do të ndërtojnë një imazh për serbët si xhelatë dhe për veten si viktima, dhe se nga ky rreth nuk do të mund të dilet.
“Është e qartë se na ka ndodhur një tragjedi, se duhet të hapim një faqe të re, duke kujtuar viktimat tona dhe duke mos harruar kurrë kishat dhe manastiret e djegura dhe gjithë urrejtjen që është derdhur kundër popullit tonë, e që disa janë të gatshëm ta përsërisin edhe sot”, theksoi ai.
Gjuriq shtoi se Serbia sot është shumë më e përgatitur për të mbrojtur interesat e saj shtetërore dhe kombëtare falë politikës së presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Qeverisë.
Kjo, sipas tij, u pa edhe në ditët e fundit kur u shmang një nga skenarët më të rrezikshëm për popullin serb, përkatësisht spastrimi administrativ nga ai territor.
0 komentet