Gjuriq i përgjigjet Ramës: Përpjekje për ta ndryshuar temën dhe për ta anashkaluar shkatërrimin sistematik të pronës serbe
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, duke iu përgjigjur kryeministrit shqiptar Edi Rama lidhur me postimin e tij për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së Ibrit, deklaroi se qëndrimi i Serbisë për Kosovën nuk është folklor, por bazohet në Kushtetutë, ndërsa diskutimi për Ibrin është hapur vetëm sepse autoritetet në Prishtinë po e shfrytëzojnë këtë verë për t’i rrënuar shtëpitë serbe, pa procedurën e përcaktuar ligjore, përgjatë brigjeve të Liqenit të Ujmanit dhe lumit Ibër.
“Një përpjekje elegante verore për ta ndryshuar temën. Në fakt, po diskutojmë për lumin Ibër vetëm për një arsye: qeveria e Albin Kurtit po e shfrytëzon këtë verë për t’i rrënuar shtëpitë serbe, pa procedurën e përcaktuar ligjore, përgjatë brigjeve të Liqenit të Ujmanit dhe Ibrit, duke i privuar njerëzit nga prona, qasja dhe mjetet e jetesës përmes procedurave që janë qartazi diskriminuese në baza etnike. Ky është realiteti konkret. Gjithçka tjetër është dytësore”, shkroi Gjuriq në rrjetin “X”.
Ai theksoi se kryeministri shqiptar Edi Rama kishte shkruar një tekst të gjatë dhe elegant për gjeografinë, historinë dhe vlerat evropiane, por kishte zgjedhur të mos e përmendte shkatërrimin sistematik të pronës serbe që po ndodh pikërisht tani.
“Meqë u përmend gjeografia: Ibri buron në Mal të Zi, rrjedh nëpër Serbi, duke përfshirë Kosovën e Metohinë, dhe vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi. Ai nuk hyn asnjëherë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor shqiptar. Ibri është rrjedhë ujore ndërkufitare, por Shqipëria nuk është shtet breglumor. E drejta ndërkombëtare e ujërave nuk ia njeh një shteti statusin breglumor në bazë të përkatësisë etnike. Të gjitha çështjet legjitime duhet të zgjidhen nga palët e interesuara drejtpërdrejt, përmes mekanizmave të përcaktuar dhe në bazë të fakteve, jo nëpërmjet deklaratave publike nga kryeqytetet e vendeve që nuk janë shtete breglumore”, nënvizoi Gjuriq.
Kreu i diplomacisë serbe theksoi se “qëndrimi i Serbisë për Kosovën e Metohinë nuk është folklor”.
“Ai bazohet në Kushtetutën tonë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria mund të mos pajtohet, por nuk mund ta shpallë në mënyrë të njëanshme këtë çështje të zgjidhur. E mirëpres pranimin e kryeministrit Rama se të drejtat dhe siguria e komunitetit serb janë të rëndësishme. Tani presim që ky pranim të shoqërohet me mbështetje praktike, duke filluar me një thirrje të qartë për t’i dhënë fund rrënimit të shtëpive serbe dhe veprimeve të ngjashme të qeverisë së Kurtit, si dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, një detyrim që mbetet i papërmbushur”, shkroi Gjuriq.
Ai i propozoi Ramës dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, që, “megjithëse është interesante, ta lëmë pas diplomacinë përmes altoparlantëve”.
“Dyert tona dhe linjat telefonike mbeten të hapura. Popujt tanë vërtet meritojnë më pak shkëmbime deklaratash dhe më shumë shembuj konkretë të asaj që serbët dhe shqiptarët mund të arrijnë së bashku. P.S. I gjithë ky shkëmbim nuk është aspak befasues. Le t’i befasojmë pozitivisht të gjithë, duke gjetur më shumë mënyra për t’i kapërcyer dallimet tona”, theksoi Gjuriq.
Rama shkroi mbrëmë se Ibri është sistem ujor ndërkufitar, si dhe se Serbia e ka humbur Kosovën, por se Tirana nuk ka kurrfarë pretendimesh ndaj territorit serb.
“Një shkëmbim veror shumë interesant ndërmjet ministrave tanë të Punëve të Jashtme. Megjithëse prisja një përgjigje për Ibrin, në njëfarë mënyre kaluam nga hidrologjia te e drejta ndërkombëtare, bëmë ndalesën e detyrueshme te ‘Shqipëria e Madhe’, kaluam përmes ‘Kosovës dhe Metohisë’ dhe në fund mbërritëm në muzeun e njohur të anktheve historike serbe. Ekziston një pjesë e pazakontë e folklorit politik në Beograd që duket se është imune ndaj kohës: sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, duhet të përmendet menjëherë ‘Shqipëria e Madhe’, sikur përsëritja një ditë të mund ta shndërronte një fantazmë të vjetër në argument të rëndësishëm”, shkroi Rama në rrjetin social “X”.
Më herët, ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, shprehu “shqetësim të thellë” për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke theksuar se uji “nuk mund të përdoret si instrument i trysnisë politike dhe as si mjet për ndëshkimin e një vendi apo popullsie tjetër”.
Gjuriq i rikujtoi kolegut të tij se Shqipëria nuk ka asnjë bazë për të ndërhyrë në administrimin e Ibrit dhe se Serbia vendos vetë për burimet e saj.
0 komentet