Gjuriq me kryeministrin e Rumanisë: Mirënjohje për qëndrimin parimor për mosnjohjen e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka biseduar sot në Bukuresht me kryeministrin e Rumanisë, Jon-Marqelo Qolakuo, dhe me atë rast e ka falënderuar për qëndrimin e tij konsistent dhe parimor për mosnjohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.
Duke shprehur kënaqësinë e tij për takimin e sotëm, Gjuriq përcolli përshëndetjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se kjo vizitë do t'i japë një shtysë shtesë marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjuriq theksoi se Serbia dhe Rumania janë të lidhura me miqësi tradicionale historike, duke thënë se Serbia është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e dialogut në të gjitha fushat, thuhet në deklaratën e MPJ.
Shefi i diplomacisë serbe falënderoi veçanërisht Rumaninë për mbështetjen e vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, përkatësisht për qëndrimin konsistent dhe parimor për mosnjohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.
Gjuriq nënvizoi se anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është një angazhim strategjik dhe prioritet i politikës së jashtme të Serbisë, duke falënderuar Rumaninë për mbështetjen që jep në këtë rrugë.
Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Gjuriq tha se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Rumanisë kanë hapësirë të konsiderueshme për zhvillim të mëtejshëm.
Sipas tij, është i nevojshëm përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik përmes realizimit të projekteve të rëndësishme, veçanërisht në fushën e energjisë dhe infrastrukturës.
Gjatë takimit të sotëm, Gjuriq ka shkëmbyer mendime me bashkëbiseduesin për tema aktuale globale dhe çështje me interes të përbashkët.




komentet