Gjuriq me Quintën: Flitet për sabotim, Prishtina akuzon Serbinë pabazë
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka mbajtur sot një takim me përfaqësuesit diplomatikë të BE-së dhe Quintit lidhur me incidentin e djeshëm në Komunën e Zubin Potokut në Kosovë, ku u dëmtua kanali Ibër-Lepenac.
Gjuriq në takim theksoi se bëhet fjalë për sabotim të qartë dhe se Serbia pa mëdyshje e dënon një akt të tillë, i cili është i drejtuar kundër stabilitetit të rajonit dhe interesave të të gjitha komuniteteve lokale, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Thuhet se furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë në masë të madhe varen nga funksionimi stabil i kanalit Ibër-Lepenac.
“Kreu i diplomacisë serbe deklaroi se akuzat e bëra nga Prishtina ndaj Serbisë me këtë rast janë të pabaza dhe të pabazuara me asgjë dhe se synojnë të diskreditojnë Beogradin në një moment të ndjeshëm dhe të keqpërdorin situatën për qëllime politike dhe ta instrumentalizojnë atë në fushata parazgjedhore në Kosovë dhe Metohi. Serbia, sipas fjalëve të tij, kërkon përcaktimin e motivit të sulmit në këtë objekt jetik të infrastrukturës dhe është e gatshme të bashkëpunojë me praninë ndërkombëtare në Kosovë e Metohi për të ndriçuar të gjitha rrethanat dhe përfundimisht për të gjetur dhe për të sjellë përgjegjësit“, thuhet në deklaratë.
Shtohet se ministri Gjuriq theksoi se është e rëndësishme që ndërkohë, para se hetimi të japë ndonjë përgjigje konkrete, të gjithë duhet të përmbahen nga akuzat e pabaza dhe drejtimin arbitrar të gishtit ndaj kujtdo, si dhe që policia në terren të mos përdorë këtë situatë si justifikim për çdo dhunë dhe shkelje të drejtave të njeriut të qytetarëve.
“Serbia, siç është prezantuar para bashkëbiseduesve, është e gatshme të ndihmojë autoritetet lokale dhe Prishtinën me furnizim me energji elektrike deri në riparimin e dëmtimit të kanalit Ibër-Lepenac, dhe është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë në riparimin e vetë dëmeve. Në takim morën pjesë përfaqësues të Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, SHBA-së dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi”, thuhet në njoftimin e MPJ.







komentet