Gjuriq me shefin e diplomacisë së Tuvalus: Serbia po zhvillon marrëdhënie afatgjata me Paqësorin
Në margjinat e takimit të 53-të të liderëve të Forumit të Ishujve të Paqësorit në Mbretërinë e Tongës, shefi i diplomacisë serbe, Marko Gjuriq, ka biseduar me Ministrin e Punëve të Jashtme, Punës dhe Tregtisë së Tuvalus, Polson Panapa.
“Serbia po zhvillon marrëdhëniet me Paqësorin në terma afatgjatë për shkak të vlerave të përbashkëta që ndajmë me vende të tilla si Tuvalu, të cilat mund të jenë gjeografikisht të largëta, por po aq duan të jenë politikisht të pavarur, ekonomikisht të rëndësishëm dhe të ndërlidhur”, tha Gjuriq.
Në këtë kontekst, ai nënvizoi rëndësinë e dinamikës më intensive të dialogut politik, por edhe të punës së përbashkët në programe dhe projekte me përfitim konkret për qytetarët, si në planin bilateral ashtu edhe në atë multilateral.
Përveç ftesës për të vizituar Serbinë në periudhën e ardhshme, ministri Gjuriq i tha bashkëbiseduesit se Serbia, si mikpritëse, do ta vlerësonte shumë pjesëmarrjen e Tuvalus në Pavijonin e Paqësorit, i cili do të përgatitet posaçërisht për shtetet ishullore të këtij rajoni në ekspozitën e ardhshme të specializuar Expo 2027 në Beograd.
Në shqyrtimin e fushave të mundshme të bashkëpunimit në të ardhmen, Gjuriq veçoi, përveç ekonomisë, mundësinë e ofrimit të mbështetjes për Tuvalun në transformimin dixhital, veçanërisht në fushën e qeverisjes elektronike.





0 komentet