Gjuriq: Partneriteti i Serbisë dhe Ohajos, një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit me SHBA
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, vlerësoi sot, gjatë bisedës me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ohajos, të kryesuar nga gjeneral brigade Matthew Woodruff, se partneriteti njëzetvjeçar ndërmjet Serbisë dhe Ohajos është një nga shembujt më konkretë dhe më të suksesshëm të bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, Gjuriq falënderoi SHBA-në për angazhimin aktiv shumëvjeçar në misionin e KFOR-it.
Gjuriq rikujtoi se këtë vit shënohen 20 vjet të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet forcave të armatosura të Serbisë dhe SHBA-së në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror, të vendosur në vitin 2006. Ai theksoi se Serbia dhe SHBA, gjatë shumë momenteve vendimtare të historisë, kanë qenë në të njëjtën anë, duke rikujtuar operacionin aleat “Ura Ajrore”, i njohur edhe si Misioni Halyard, 82-vjetori i të cilit do të shënohet këtë të shtunë, me pjesëmarrjen edhe të delegacionit të Gardës Kombëtare të Ohajos.
Duke folur për marrëdhëniet aktuale ndërmjet dy vendeve, Gjuriq theksoi në veçanti rëndësinë e vendosjes së Dialogut Strategjik ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së, duke e vlerësuar atë si një nga hapat më të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet dypalëshe gjatë viteve të fundit.
Me vendosjen e Dialogut Strategjik, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ngrihen për herë të parë në nivelin e partneritetit strategjik, konstatoi Gjuriq, i cili përshëndeti pjesëmarrjen e SHBA-së në ekspozitën e specializuar ndërkombëtare Expo 2027 në Beograd.
Shefi i diplomacisë serbe theksoi se Serbia mbetet fuqishëm e përkushtuar që në periudhën e ardhshme t’i thellojë më tej marrëdhëniet me SHBA-në dhe të vazhdojë zhvillimin e formave konkrete të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë.
Për takimin reagoi në rrjetin social “X” edhe Ambasada e SHBA-së në Beograd, e cila bëri të ditur se gjeneral brigade Matthew Woodruff dhe Gjuriq konfirmuan përkushtimin e përbashkët ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe ndaj partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë.
“Këtë vit shënojmë 20 vjet të Programit të Partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Ohajos dhe Serbisë, dy dekada të avancimit të bashkëpunimit ushtarak, trajnimeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë rajonale”, thuhet në postimin e ambasadës në rrjetin social “X”.
Ambasada e SHBA-së thekson se takimi ndërmjet Woodruffit dhe Gjuriqit konfirmoi përkushtimin e përbashkët ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe ndaj partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.







0 komentet