Graçanicë: Protesta për rrahjen e romëve nga Policia e Kosovës
Pjesëtarë të komunitetit romë janë mbledhur sot në Graçanicë në një protestë të organizuar nga Shoqata e Romëve në Kosovë “Opre Roma”, për shkak të rrahjes së Burhan Ibrahimoviqit nga Policia e Kosovës.
Të mbledhurit para komisariatit thërrisnin “Stop dhunës”, “Duam drejtësi të barabartë për të gjithë”…
Nga Shoqata “Opre Roma” pretendojn se Burhan Ibrahimoviq është rrahur brutalisht në stacionin policor në Graçanicë më 19 gusht dhe se pas lirimit nga paraburgimi është dashur të kërkojë ndihmë mjekësore.
“Kur e dëgjuam dhe e pamë, filluam të hetojmë dhe vendosëm ta organizojmë këtë protestë sepse nuk është hera e parë që diçka e tillë ndodh në Kosovë”. Ne kemi raste në Obiliq ku disa romë janë rrahur edhe brenda stacionit policor, por ata kanë frikë të ngrenë zërin. Nëse çdo ditë ne si romë kemi frikë të ngremë zërin kundër brutaliteteve që po ndodhin ndaj nesh, atëherë nuk do të dalim kurrë nga hija e brutalitetit, nga hija e diskriminimit që po na bën shteti”, tha përfaqësuesi i kësaj shoqate, Sebastijan Sherifoviq.
Sipas Shoqatës së Romëve, Ibrahimoviq është sjellë në stacionin policor për të dhënë deklaratë lidhur me një konflikt me një banor të Graçanicës.
Ata theksojnë se askush nuk i ka marrë deklaratë në komisariat, pasi flet vetëm holandisht, romë dhe gjermanisht, duke pretenduar se ka marrë vetëm gjobë dhe se është rrahur brutalisht.
“Rasti është iniciuar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës. Burhani ka marrë disa thirrje nga Inspektorati dhe kjo është shumë inkurajuese për të, që do të thotë se rasti është në vazhdim e sipër”, tha Sherifoviq.
Një tjetër përfaqësues i Shoqatës “Opre Roma”, Driton Berisha, thotë se protesta e sotme është organizuar për të kërkuar drejtësi për Ibrahimoviqin, i cili, siç thekson, është përballur me dhunë.
“Duam t’i kujtojmë policisë se janë këtu për të na mbrojtur, dhe se na ndihmojnë të ndihemi të sigurt dhe se nuk ushtrojnë dhunë. Shpresoj që këtë e kemi arritur me këtë tubim. Duam mbi të gjitha që ky rast të mos ndodh më, sepse ka shumë romë që i mbijetuan dhunës, por nuk u lejuan të raportojnë”, tha Berisha.
Togeri i policisë Naim Makoli tha se stacioni policor në Graçanicë nuk do të komentojë rastin për momentin.
Shoqata “Opre Roma” kërkoi pjesëmarrjen dhe mbështetjen e autoriteteve vendore, organizatave ndërkombëtare, mediave, grupeve të shoqërisë civile dhe qytetarëve të interesuar për të qëndruar së bashku për drejtësinë, barazinë dhe të drejtat e njeriut.





komentet