Imeri: NATO ka besim në Policinë e Kosovës
Tërheqja graduale e pjesëtarëve të KFOR-it tregon se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar, vlerësojnë profesori universitar Dorajet Imeri dhe eksperti i sigurisë Mentor Vrajolli.
KFOR-i njoftoi dje se ka filluar zvogëlimi i pranisë së përhershme në urën kryesore mbi Ibër, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe si pjesë e procesit të optimizimit të dislokimit të forcave të këtij misioni të NATO-s. Gjithashtu, ka filluar integrimi i Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.
Profesori Dorajet Imeri deklaroi për KosovaPress se tërheqja graduale e pjesëtarëve të KFOR-it vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve të sigurisë së Kosovës, veçanërisht në luftën kundër strukturave ilegale dhe grupeve të tjera që, siç thotë ai, kanë vepruar sipas udhëzimeve të Serbisë.
Ai konsideron se ky është një sukses i madh dhe shprehje e besimit që NATO-ja, përmes KFOR-it, ka në Policinë e Kosovës.
“Institucionet e Republikës duhet të vazhdojnë me qasjen profesionale dhe gjithëpërfshirëse, si deri më tani, duke e menaxhuar vazhdimisht situatën në përputhje me rreziqet, përmes patrullimeve dhe praktikave të tjera tashmë të njohura të institucioneve të Republikës. Policia e Kosovës deri më tani ka garantuar sigurinë për të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve etnike, duke dëshmuar se kjo qasje profesionale ka dhënë rezultate. Ky është një sukses shumë i madh dhe, para së gjithash, shprehje e besimit që NATO-ja, përmes KFOR-it, ka në Policinë e Kosovës. Kjo është dëshmi e rritjes së paqes dhe sigurisë, si dhe e rritjes së kapaciteteve të institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht institucioneve të sigurisë, për të marrë përsipër funksione të këtij lloji”, tha Imeri.
Eksperti i sigurisë, Mentor Vrajolli, deklaroi se Kosova është më e sigurt se kurrë dhe se kjo mund të jetë një nga arsyet përse KFOR-i e ka marrë këtë vendim.
“Duke pasur parasysh se KFOR-i ka njoftuar zyrtarisht se kjo lidhet me përmirësimin e sigurisë, atëherë një zhvillim i tillë duhet të shihet nga një këndvështrim pozitiv. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të ketë ndonjë konflikt në veri apo në pjesë të tjera të Kosovës. Policia e Kosovës po e kryen siç duhet punën e saj, po u ofron siguri të gjitha komuniteteve dhe Kosova është më e sigurt se kurrë, ndër të tjera edhe për faktin se në veri tashmë është arritur përparim jashtëzakonisht i madh. Ndoshta pikërisht kjo ka ndikuar në vendimin e KFOR-it për t’u tërhequr”, tha Vrajolli.
0 komentet