Zyra për KdheM në Panairin e Librit: Ruajtja e shpirtit, fesë dhe kulturës së popullit serb
Ndihmësdrejtoresha e Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Millena Parliq, e cila është përgjegjëse për kujdesin ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ka njoftuar prezantimin e këtij viti të krijimtarisë shpirtërore, kulturore dhe shkencore të popullit serb nga Kosova në Panairin e Librit në Beograd.
“Zyra për Kosovë dhe Metohi këtë vit me krenari paraqet krijimtarinë shpirtërore, kulturore dhe shkencore të popullit tonë në Kosovë dhe Metohi”, theksoi Parliq.
Në një hapësirë prej 300 metrash katrorë, në sallën 1A dhe sallën 4, në gjithsej 12 stenda, Zyra për Kosovë dhe Metohi do të paraqesë punonjës shkencorë, punëtorë të institucioneve kulturore, vetë institucionet e kulturës, kishat dhe manastiret e Eparhisë së rashko-prizrenase, përmes një programi që do të zgjasë më shumë se 60 orë.
Publiku do të ketë mundësi të njihet me krijimtarinë që lind nga besimi dhe nga e vërteta shumë shekullore për qëndrueshmërinë e popullit serb, pikërisht si përgjigje ndaj përpjekjeve pothuajse të përditshme për shtrembërimin e historisë.
“Të njohin ata që krijojnë me penë, ata që sot dëshmojnë se shpirti i popullit serb dhe fjala e shkruar nuk mund të fshihen - pra ata që janë dëshmi e gjallë, kujtesë e gjallë, që ndërtojnë themele mbi trashëgiminë e paraardhësve, duke lënë kështu brezave të ardhshëm një garanci për një të ardhme më të mirë,” tha Millena Parliq.
Ndihmësdrejtoresha e Zyrës për Kosovë dhe Metohi theksoi se Panairi i Librit është një mundësi që publiku të njihet me “heronjtë e padukshëm” që ruajnë identitetin kulturor të popullit serb në Kosovë.
“Panairi i Librit është pikërisht rasti që të njihen këta heronj tanë të padukshëm. Natyrisht, kur them ‘të padukshëm’ – ata janë plotësisht të dukshëm për Qeverinë e Republikës së Serbisë, për Zyrën për Kosovë dhe Metohi, për Ministrinë e Kulturës, për Kishën Ortodokse Serbe, por ndoshta janë të padukshëm për publikun më të gjerë. Kjo është pikërisht një mundësi që publiku të kuptojë se në Kosovë dhe Metohi fjala vazhdon të jetojë, të qëndrojë dhe të paralajmërojë. Dhe kur themi ‘paralajmëron’, ja, këtë do ta shihni përmes veprave që botojnë Arkivi i Kosovës dhe Metohisë dhe Shtëpia e Kulturës në Graçanicë, për pogromin e marsit, si edhe veprën e rëndësishme të autores sonë të mrekullueshme Mitra Reliq për varrezat e shkatërruara në Kosovë dhe Metohi,” tha Parliq.
Ajo shtoi se kjo është vetëm një pjesë e asaj që paraqet populli serb.
“Pra, kjo është vetëm një copëz e asaj që paraqet populli ynë, më shumë se 115 vepra të reja janë përgatitur, prandaj e shfrytëzoj këtë rast që publikisht t’i ftoj të gjithë dashamirët e krijimtarisë nga Kosova dhe Metohia, të fjalës së shkruar, që nga nesër dhe ditët në vijim të vijnë dhe të vizitojnë stendat e Zyrës për Kosovë dhe Metohi,” përfundoi ndihmësdrejtoresha e Zyrës.
0 komentet