Jovanoviq: Asnjë nga dispozitat e Rezolutës 1244 që i korrespondojnë Serbisë nuk është zbatuar

Vladislav Jovanović
Burim: Večernje novosti

Pas 24 vitesh nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, janë zbatuar vetëm dispozitat e saj që i përgjigjen palës shqiptare, ndërsa Serbia ka mbetur e privuar nga të drejtat e saj nga ai document ka deklaruar për Kosovo online diplomati Vlladisllav Jovanoviq.

Jovanoviq shtoi se fuqitë perëndimore, duke mbështetur shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe një sërë veprimesh të tjera, u përpoqën të shmangin Rezolutën 1244, pa hequr atë formalisht.

“Dispozitat që i përgjigjen palës shqiptare janë zbatuar sipas një procedure urgjente, siç është hyrja në Kosovë e njësive të UÇK-së që kanë qenë në vendet fqinje, edhe para ardhjes së KFOR-it, që ka qenë shkak i krimeve të shumta ndaj serbëve. Është lejuar edhe kthimi i refugjatëve shqiptarë nga Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria, ndërkohë që serbët dhe romët nuk janë kthyer as sot e kësaj dite, sepse obligimi i KFOR-it nga Rezoluta për të garantuar sigurinë e të gjithëve nuk është përmbushur. Edhe një numër i vogël i atyre dy për qind të serbëve që janë kthyer është dashur të ikin sërish për shkak të presionit, që do të thotë se është shkelur dispozita më e rëndësishme e Rezolutës”, ka theksuar Jovanoviq.

Jovanoviq ka theksuar gjithashtu se përfaqësuesit specialë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, duke filluar nga Bernard Kushner, “nën urdhrat e Amerikës kanë punuar në kundërshtim me mandatin e tyre për t'u kujdesur për zbatimin e Rezolutës 1244”.

“Ambasadori amerikan në OKB, Riçard Hollbruk, i tha Kushnerit në telefon se ai nuk duhet të respektojë Rezolutën, por të bëjë të tijën, pra sipas marrëveshjes me të dhe marrëveshja ishte që ai ta çlironte Kosovën nga të gjitha format e prezencës shtetërore dhe juridike të Serbisë sa më shpejt që të ishte e mundur, gjë që Kushner e bëri shumë shpejt dhe me energji”, kujtoi Jovanoviq.

Ai shtoi se edhe obligimi për kthimin e deri në 1000 pjesëtarëve të ushtrisë, policisë dhe doganës serbe në Kosovë është shmangur, pasi vendimi për këtë i është lënë komandantit të KFOR-it.

“Me fjalë të tjera, ajo që është e detyrueshme në Rezolutë disi kaloi në duart e komandantit të KFOR-it, i cili mori pushtetin diskrecional kur dhe nëse do të zbatohet fare”, tha Jovanoviq.

Jovanoviq deklaroi se “njohja e pavarësisë së shpallur ilegalisht të Kosovës”, e sponsorizuar nga Perëndimi, është një nga provat se Rezoluta 1244 është injoruar dhe lënë mënjanë.

“Pra, qëndrimi praktik i Fuqive Perëndimore është që ta tërheqin vetë Rezolutën, pa e hequr formalisht, thjesht ta anulojnë atë për shkak të ngjarjeve të reja që ushtrojnë presion mbi Serbinë, që ajo të pranojë gjendjen faktike që ata krijuan më pas në Kosovë dhe Metohi, duke ndihmuar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe tani Serbia duhet ta pranojë këtë dhe të lejojë një kuazi-krijim të tillë të hyjë në OKB”, tha Jovanoviq.

Ai shtoi se kjo është e pamundur pa pëlqimin e Serbisë, por edhe Rusisë dhe Kinës si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilët nuk do të pajtohen me një gjë të tillë.

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u miratua sot 24 vjet më parë.