Koka: Mbështetja për Rezolutën për Srebrenicën - çështje ndershmërie

Bledian Koka
Burim: Kosovo Online

Analisti politik dhe kryeredaktor i televizionit shqiptar “Syri TV” Bledian Koka vlerësoi se miratimi i Rezolutës për Srebrenicën, si dhe bashkësponsorizimi i këtij dokumenti nga shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një çështje nderi, dhe se qëndrimet kontradiktore të shumicës së vendeve të rajonit ndaj Serbisë qëndrojnë vetëm në faktin se ajo ka mbajtur anën e Rusisë.

“Kjo nuk ka të bëjë aq shumë me marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe vendeve të rajonit, sa për dallimin e qartë mes qëndrimit të Serbisë dhe qëndrimit të këtyre vendeve. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një orientim pro-perëndimor dhe pro NATO-s, ndërsa Serbia nuk i fsheh lidhjet e saj me Rusinë. Serbia, natyrisht, ka të drejtën e zgjedhjes, por kjo është vija ndarëse mes dy palëve. Mendoj se Serbia duhej të kuptonte se çfarë po ndodh tani, megjithëse është e drejta e saj të vendosë për pozicionin e saj dhe marrëdhënien që do të ketë si me Perëndimin ashtu edhe me Rusinë. Vendet e rajonit zgjodhën Perëndimin, ashtu si Shqipëria dhe mendoj se është një zgjedhje logjike”, thotë Koka.


Në një intervistë për Kosov online, Koka thekson se miratimi i Rezolutës për Srebrenicën është i rëndësishëm sepse është “një nga mësimet nga historia që nëse nuk ndëshkohet, mund të përsëritet”.

Kam një qëndrim të qartë për çështjen e masakrës në Srebrenicë, si dhe për çdo masakër tjetër, pavarësisht se ku është kryer dhe kundër çdo populli. Është një leksion historie që çdo komb duhet të mësojë nga gabimet e tij. Nëse krimet dhe masakrat nuk dënohen, ato mund të përsëriten. Jam për miratimin e çdo rezolute për Srebrenicën, jo vetëm për këtë masakër, sepse kështu do të kemi ndërgjegje të pastër. Në Srebrenicë ka ndodhur një masakër e tmerrshme, e cila nuk duhet të përsëritet”, ka theksuar Koka.


I pyetur nëse ka një mënyrë për të riparuar marrëdhëniet e dëmtuara mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Koka thotë se kjo është e mundur vetëm përmes integrimit ekonomik.

Interesat ekonomike janë interesat më të sinqerta midis kombeve. Kur bëhet fjalë për paratë, të mirat materiale... njerëzit bëhen pragmatistë. Ne e dimë se si janë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por sërish pas luftës, për shkak të lidhjeve të krijuara më parë, Serbia mbeti një nga eksportuesit kryesorë në Kosovë. Ky është shembulli më i qartë i asaj për të cilën po flas. Marrëdhëniet ekonomike kanë tejkaluar gjithmonë problemet dhe konfliktet ndërmjet shteteve, me përjashtim të rasteve kur këto konflikte ishin jashtë kontrollit. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Serbia të mbajë marrëdhënie miqësore me fqinjët e saj, dhe jo të trembin Malin e Zi, Shqipërinë dhe Kosovën me manovra ushtarake në kufi”, përfundoi Koka.