Kongresmenja Teni: Vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie me Serbinë, ambasadori Gjuriq po më ndihmon për këtë

Klaudija Teni
Burim: Facebook

Kongresmenja amerikane, e cila është edhe anëtare e grupit serb, Kllaudija Teni, tha se është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë partnerët në rajonin e Ballkanit, veçanërisht me Serbinë.

Teni ka thënë se ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, e ka kontaktuar që në fillim të mandatit të saj si një kongresiste.

“Ne ishim jashtëzakonisht të lumtur që kemi krijuar komunikim me të. Ai po më ndihmon të ndërtoj marrëdhënie me të gjithë udhëheqjen e Serbisë dhe ne jemi shumë të emocionuar për këtë partneritet. Vitin e kaluar, ambasadori Gjuriq organizoi një darkë ku mblodhi së bashku një numër të madh të miqve të mi kongresmenë, anëtarë të grupit serb. Ishte një ngjarje fantastike dhe ne do të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhëniet tona me Serbinë dhe të theksojmë rëndësinë e Serbisë si pjesë e gjithë nismës ballkanike dhe pjesë e gjithë rajonit si dhe të theksojmë arsyet pse është e rëndësishme të kemi vazhdimësi në marrëdhëniet tona”, tha Teni.

Siç shtoi ajo, kur erdhi në Kongresin amerikan ishte e natyrshme që ajo t'u jepte zë të gjithëve në Ballkan.

“Është një pjesë kaq e rëndësishme e botës sonë, porta midis Lindjes dhe Perëndimit, aq shumë histori ka ndodhur në rajon për arsye të mira apo të këqija. Mendoj se është shumë e rëndësishme që SHBA të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë partnerët tanë në rajon, veçanërisht me Serbinë, sepse Serbia është kaq e madhe dhe shumë e rëndësishme”, ka thënë Teni pas një takimi me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në Uashington.