Gerapetritis: Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor sërish prioritet kryesor europian
Ministri grek i punëve të jashtme Jorgos Gerapetritis tha se pranimi i Ballkanit Perëndimor në Unionin Europian do të jetë prioritet kyç gjatë presidencës greke të Këshillit të Unionit Europian në gjysmën e dytë të vitit 2027, raporton Hellas Xhurnal.
"Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Unionin Europian është në krye të rendit të ditës në presidencën e ardhshme greke të Këshillit të Unionit Europian gjatë gjysmës së dytë të vitit 2027 dhe ne do të punojmë mjaft në arritjen e rezultateve të prekshme deri në fund të mandatit tonë", tha Gerapretritis pas bisedës me ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës Elmedin Konakoviq në Sarajevë.
Gerapetritis kujtoi se nënshkrimi i Deklaratës së Delfit prillin e kaluar, ishte akt mjaft simbolik dhe mesazh i qartë se kursi drejt anëtarësimit në BE nuk mund të kthehet mbrapsht.
"Është koha që vendet e rajonit të përmbushin mundësinë dhe në tërësi të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre si zonë paqeje dhe prosperiteti, si dhe rajon me rëndësi të veçantë për sigurinë e Europës", tha ai.
Shtoi se arritja e këtij qëllimi është e lidhur pazgjidhshmërisht me progresin e rajonit drejt anëtarësimit në BE.
Vuri në dukje se Greqia, si shteti më i vjetër anëtar i BE në rajon, mbështet vazhdimisht perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor që nga Axhenda e Selanikut e vitit 2003.
"Zgjerimi i BE duhet të kthejë vrullin dhe besueshmërinë e vet. Procesi i zgjerimit është bërë sërish prioritet qëndror europian dhe kjo është në interes si të Ballkanit Perëndimor ashtu edhe të vetë Europës", tha Gerapetritis, raporton Hellas Xhurnal.
Nënvizoi se pranimi vlerësohet në bazë të kushtëzimit dhe meritës individuale.
"Rruga drejt anëtarësimit kërkon përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme në përputhje me aktet ligjore të BE, sundimin e ligjit, të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se zgjerimi është dhe proces politik, i cili duhet të lehtësohet me mjete politike", tha shefi i diplomacisë greke.
Duke folur veçanërisht për Bosnjë-Hercegovinën, përshkroi pranimin në BE si një nga qëllimet qëndrore politike të vendit.
"Populli i Bosnjë-Hercegovinës i di më mirë se kushdo pasojat që mund të lindin kur nacionalizmi, revizionizmi dhe zërat ekstremistë mbizotërojnë në Ballkan, kjo është diçka që duhet t’a ndalim dhe shmangim", tha ai.
Gerapetritis pranoi plagët historike të rajonit, por theksoi rëndësinë e ndërtimit të lidhjeve të përbashkëta, vlerave të përbashkëta dhe mirëkuptimit reciprok mes popujve të Ballkanit, pavarësisht dallimeve të tyre.
Gjithashtu theksoi rëndësinë gjeopolitike të rajonit, duke vënë në dukje se ndodhet në udhëkryq mes Europës Qëndrore dhe Mesdheut Lindor.
"Rëndësia e këtij pozicioni strategjik është edhe më e dukshme në mjedisin ndërkombëtar të sotëm, i cili karakterizohet nga pasiguria, destabiliteti, paparashikueshmëria dhe rënia e besimit tek institucionet ndërkombëtare", tha ai.
Ministri grek sërish konfirmoi gatishmërinë e Greqisë t'i ofrojë Bosnjë-Hercegovinës çdo ndihmë teknike që i nevojitet në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Përsa i përket zhvillimit rajonal, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, me seli në Sarajevë dhe vuri në dukje se procesi i bashkëpunimit në Europën Juglindore ofron mundësi të tjera për forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe, Gerapetritis theksoi se Greqia dhe Bosnjë-Hercegovina janë ndër vendet e pakta në rajon pa mosmarrëveshje të hapura dypalëshe, çka i bën diskutimet mes tyre veçanërisht të lehta.
Të dy ministrat konfirmuan gjendjen e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe u dakordësuan të forcojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, tregtisë, investimeve, qëndrueshmërisë energjitike dhe diversifikimit. Gjithashtu shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në sektorë me potencial të fortë rritjeje përfshirë turizmin, kulturën dhe arsimin.
Duke theksuar rëndësinë e lidhjeve të transportit në mbështetjen e këtyre sektorëve, Gerapetritis njoftoi se fluturimet e rregullta direkte mes Athinës dhe Sarajevës do të rifillojnë nga tetori.
0 komentet