Kostiq: Kalimi në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar do të ndikonte edhe në procesin e zgjerimit të BE-së
Kalimi në votim me shumicë të kualifikuar në vend të konsensusit mund të ishte i favorshëm për integrimin evropian të Serbisë për shkak të hapjes së klasterëve, por, nga ana tjetër, kjo shumicë e kualifikuar, kur bëhet fjalë për vendimet lidhur me Kosovën, do të ishte gjithmonë në anën e vendeve që mbështesin Prishtinën, deklaroi Mijat Kostiq nga organizata Rruga e Tretë e Re.
Kostiq vlerëson se problemi më i madh me mënyrën e deritanishme të votimit ishte fakti se një shtet mund të bllokojë marrjen e vendimeve kyçe, gjë që u pa në shembullin e sanksioneve ndaj Rusisë ose dërgimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën.
„Ajo që ekziston tashmë në sistemin aktual është edhe e ashtuquajtura klauzolë ‘passerelle’. Nëse vendet vendosin gjithashtu njëzëri, mund të votohet kalimi nga konsensusi në votim me shumicë të kualifikuar, që më pas do të thotë se në atë situatë mund të votohet sipas parimit të shumicës së dyfishtë, përkatësisht që 55 për qind e shteteve anëtare, të cilat përfaqësojnë 60 për qind të popullsisë së BE-së, të votojnë për një propozim“, tha Kostiq për Kosovo online.
Problemi, megjithatë, është se edhe kalimi në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar duhet të miratohet njëzëri, që do të thotë se një shtet anëtar që ka bllokuar një vendim mund të bllokojë edhe vendimin për kalimin në mënyrën e re të votimit.
Reforma e propozuar, shpjegon ai, pikërisht do të parandalonte bllokimet e vazhdueshme dhe mundësinë që një shtet, për shkak të interesave të veta që nuk lidhen në thelb me vendimin konkret, ta bllokojë atë vendim. Si shembull përmend Hungarinë, e cila, siç thotë ai, për shkak të marrëdhënieve „personale“ me Ukrainën dhe sanksioneve ndaj disa ndërmarrjeve hungareze në Ukrainë, thjesht bllokoi ndihmën për Kievin.
„Për ta parandaluar këtë, kalimi në votim me shumicë të kualifikuar me gjasë do ta zvogëlonte kapacitetin kushtëzues të vetë shteteve dhe do të mundësonte që disa çështje që lidhen me ndihmën humanitare, ndihmën ushtarake dhe, në përgjithësi, vendimet e politikës së jashtme të merren në mënyrë të tillë që asnjë shtet të mos mund t’i bllokojë. Ekzistojnë propozime të ndryshme. Përveç shumicës së kualifikuar, ekziston edhe mundësia e abstenimit – që një shtet të mund të abstenojë, por që kjo të mos konsiderohet veto, por thjesht të nënkuptojë se ai nuk ka votuar për një vendim dhe se më pas nuk është i detyruar t’i nënshtrohet atij vendimi. Të gjitha këto propozime janë pjesë e një diskutimi më të gjerë për vendimmarrjen e centralizuar dhe për parandalimin politik të kapacitetit kushtëzues të shteteve të veçanta, në mënyrë që vendimmarrja të centralizohet politikisht dhe t’i lehtësohet BE-së të veprojë si një tërësi politike, e jo si një grup shtetesh konfederale“, shpjegoi Kostiq.
I pyetur nëse kjo mënyrë e vendimmarrjes mund të zbatohet edhe për vendimet që lidhen me zgjerimin dhe hapjen e kapitujve, Kostiq thotë se kjo është padyshim një nga çështjet.
„Klasteri 3 nuk është hapur, sepse disa vende votuan kundër për arsye të ndryshme. Vendet baltike, sepse konsideronin se Serbia nuk ishte harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Kroacia – për shkak të mosmarrëveshjes kufitare me Serbinë. Dhe shohim se në një situatë të tillë, edhe nëse ndoshta janë arritur disa reforma, një shtet ka të drejtën e vetos për t’ju pamundësuar hapjen e klasterit. Nëse do të kalohej në shumicë të të kualifikuar, një shtet i vogël nuk do të mund të bllokonte dhe të vendoste veto. Në thelb, nëse do të kalohej në një mënyrë të tillë votimi, veçanërisht për hapjen e kapitujve dhe zgjerimin, për të bllokuar një vendim do të duhej të kishit të paktën katër shtete që përfaqësojnë më shumë se 35 për qind të popullsisë së BE-së, gjë që e bën shumë më të vështirë bllokimin e çfarëdo vendimi dhe, natyrisht, pamundëson situatën që një shtet, për interesa personale, të bllokojë të gjithë procesin e vendimmarrjes“, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Nga ana tjetër, ai paralajmëron se një zgjidhje e tillë do të përbënte rrezik, veçanërisht kur bëhet fjalë për integrimin evropian të Kosovës.
„Në atë situatë, nëse do të votonin vendet që kanë fuqi më të madhe demografike dhe politike, për shembull Franca dhe Gjermania, të cilat e njohin Kosovën, do të mund të merreshin më lehtë të gjitha vendimet që lidhen me Kosovën dhe anëtarësimin e mundshëm të Kosovës si shtet i pavarur, nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian. Kjo nuk do të mund të bllokohej aq lehtë, sepse atëherë kjo shumicë e kualifikuar me gjasë do të ishte gjithmonë në anën e vendeve që mbështesin Kosovën“, theksoi Kostiq.
Nga e gjithë kjo ai përfundon se, për vendimet që janë në përputhje me interesin kombëtar të Serbisë, siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, kalimi në shumicë të kualifikuar do të ishte më i favorshëm dhe do ta lehtësonte vetë integrimin e vendit në BE, por kur bëhet fjalë për Kosovën dhe çështje të tjera me interes kombëtar që mund të mos jenë në favor të Serbisë, kjo do të hapte probleme shtesë.
„Shumica e kualifikuar do të mundësonte që ato vende që deri më tani kanë mbrojtur interesin serb përmes mosnjohjes së Kosovës, të mund të mbivotohen dhe të mos kenë të drejtën e vetos. Situata nuk është aq e thjeshtë, prandaj ekziston edhe një dilemë e madhe rreth vetë reformave, nëse ato janë të nevojshme dhe se çfarë pasojash do të sjellin dhe në çfarë mënyre“, tha Kostiq.
komentet