Krivokapiq: Katër serbëve nga Suhogërlla gjykata u caktoi paraburgim deri në 30 ditë

Krivokapić
Burim: Kosovo Online

Katër nga pesë serbët nga Suhogërlla, të arrestuar për krime të dyshuara lufte, Gjykata në Prishtinë u ka caktuar paraburgim deri në 30 ditë, konfirmoi për Kosovo online avokatja Jellena Krivokapiq.

„Është caktuar paraburgimi për katër të dyshuarit në kohëzgjatje deri në një muaj, ndërsa njëri, N.T., është liruar që të mbrohet në liri“, theksoi ajo.

Ajo shtoi se ekziston afat prej 48 orësh për paraqitjen e ankesës, të cilin katër avokatët që përfaqësojnë serbët e arrestuar do ta shfrytëzojnë.

Gjithashtu theksoi se aktvendimi për paraburgimin është shkruar në 19 faqe dhe atë në gjuhën shqipe.

Jellena Kragoviq, avokatja mbrojtëse e Ratko Kragoviqit, theksoi se vendimi i gjykatës dhe kërkesa e prokurorisë janë në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Penale.

„Sot kemi pranuar aktvendimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është miratuar kërkesa e prokurorisë dhe klientit tim Ratko Kragoviq i është caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Sipas mendimit të mbrojtjes, vendimi i gjykatës dhe kërkesa e prokurorisë janë në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Penale; në asnjë fjalë nuk është përmendur deklarata e ndonjë dëshmitari që e inkriminon klientin tim. Prokuroria ka përmendur vetëm emrat e dëshmitarëve, pa theksuar se çfarë kanë thënë ata, ndërsa gjykata e ka pranuar këtë në tërësi“, tha Kragoviq për Kosovo online.

Ajo gjithashtu paralajmëroi se mbrojtja, e pakënaqur me vendimin e gjykatës, do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Pesë serbë nga Suhogërlla u arrestuan më 1 mars. Siç theksoi për Kosovo online vajza e njërit prej të arrestuarve, Policia e Kosovës ka hyrë në të gjitha shtëpitë njëkohësisht, rreth orës 6 të mëngjesit.

Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës më herët njoftuan se në aksionin me emrin „Suhogërrllë“ janë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në atë vend në vitin 1998.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke reaguar ndaj arrestimit të pesë serbëve, theksoi se Kosova po ndjek shembullin e Kroacisë, por se thelbi është në faktin që Prishtina ka mbështetje të heshtur nga bota perëndimore për çfarëdo që bën.

Ka reaguar edhe Zyra për KeM, duke theksuar se arrestimet për krime të dyshuara lufte janë për Albin Kurtin një perde për hakmarrje dhe keqtrajtim të serbëve dhe se është e qartë se bëhet fjalë për planin e tij për të futur frikë në atë enklavë serbe.