Kurti: Kosova ka përmbushur kushtin e fundit për anëtarësim në SEPA
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, është përmbushur kushti i fundit për anëtarësimin në SEPA.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për deputetët që dje miratuan në lexim të dytë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Me miratimin e këtij ligji, Kosova përmbush edhe kushtin e fundit për integrimin në sistemin evropian të pagesave SEPA (Single Euro Payments Area)”, shkroi Kurti në Facebook.
Siç shpjegoi ai, integrimi i Kosovës në SEPA do të mundësojë transferta bankare me kosto dukshëm më të ulëta dhe do t'u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit nga tarifat e transfertave.
Kuvendi i Kosovës e miratoi dje këtë ligj në lexim të dytë, me 61 vota pro. Ky akt rregullon masat për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Miratimi i ligjit u përshëndet edhe nga Bashkimi Evropian, ndërsa shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Dirk Schuebel, deklroi se ky është një lajm i mirë dhe se Kosova është një hap më afër anëtarësimit në sistemin SEPA.
komentet