U mbajt Samiti i Kosovës për Paqe dhe Demokraci: Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në ngecje
Samiti i Kosovës për Paqe dhe Demokraci, i organizuar nga Iniciativa e Re Sociale, Alternativa Qytetare e Kosovës dhe Instituti Evropian për Paqe, u mbajt sot në Prishtinë. Në samit u theksua se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në ngecje, se pajtimi nuk mund të imponohet dhe se shoqëria civile duhet të jetë nxitëse e energjisë qytetare.
Drejtoresha ekzekutive e Iniciativës së Re Shoqërore, Milica Andriq Rakiq, theksoi në fjalën e saj hyrëse se nuk ka përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prandaj shoqëria civile, siç u shpreh ajo, duhet të jetë nxitëse e energjisë qytetare.
“Kur e nisëm samitin në vitin 2022, shpresonim se do t'i jepnim pak shtysë procesit të dialogut, i cili në atë kohë dukej se po ecte tepër ngadalë. Fatkeqësisht, çdo vit që nga ajo kohë na është dashur ta hapim të njëjtin aktivitet dhe të pranojmë se gjërat vetëm sa janë përkeqësuar. Do të doja që sot ta ndërprisja këtë traditë, por sinqeriteti është politika më e mirë dhe vërtet nuk mund të mohohet se përkeqësimi ka vazhduar. Prandaj, këtë vit zgjodhëm fjalën ‘entropi’ për të përshkruar atë që shohim rreth nesh. Në fizikë, entropia është një fakt i thjeshtë: çdo sistem i lënë në mëshirë të vetvetes priret drejt çrregullimit. Gjërat shpërbëhen kur nuk ka mjaftueshëm njerëz të gatshëm të investojnë energji për t'i mbajtur ato të bashkuara”, tha ajo.
Duke folur për pasojat e një gjendjeje të tillë, Andriq Rakiq vuri në dukje humbjen e besimit dhe lodhjen e institucioneve, politikanëve dhe qytetarëve, por edhe përgjegjësinë e shoqërisë civile për të këmbëngulur.
“Fatkeqësisht, kjo duket se e pasqyron me besnikëri situatën tonë këtu në Kosovë, por edhe situatën globale. Dialogu po humbet, besimi po zbehet në heshtje, ndërsa ata që duhet të investojnë energji, institucionet dhe politikanët, por edhe të gjithë ne bashkë me ta, janë të lodhur. Megjithatë, ne në shoqërinë civile duhet të këmbëngulim. Ne duhet të jemi nxitës të energjisë qytetare dhe kemi përgjegjësinë të gjejmë forcën shtytëse edhe në rrethanat më të vështira”, tha Andriq Rakiq.
Senad Shaboviq nga Instituti Evropian për Paqe tha se është e lehtë të angazhohesh për vlerat evropiane kur klima është e favorshme, por se është shumë më e vështirë dhe më e rëndësishme ta bësh këtë kur mjedisi bëhet më pak mikpritës.
“Kosova po kalon një krizë të zgjatur institucionale dhe një periudhë polarizimi. Procesi i normalizimit ka humbur shumë nga vrulli i tij. Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara i 16 shtatorit, kuptohet, ka ngjallur shumë emocione në mbarë Kosovën. Për të gjitha këto arsye, besoj se vetë fakti që jemi mbledhur sot këtu është padyshim i rëndësishëm. Jemi mbledhur me një grup mbresëlënës njerëzish nga vende, komunitete, institucione dhe organizata të ndryshme, me profile të ndryshme profesionale, të cilët mund të mos pajtohen për gjithçka, por ndajnë vullnetin për t'u angazhuar seriozisht në trajtimin e sfidave me të cilat përballemi”, tha Shaboviq.
Duke folur për rolin e shoqërisë civile në tejkalimin e sfidave aktuale, Shaboviq theksoi rëndësinë e ruajtjes së perspektivës evropiane dhe të dialogut, pavarësisht ndarjeve.
“Shpresoj veçanërisht që sot të mund të shqyrtojmë se çfarë mund të bëjë shoqëria civile në këto rrethana, si mund ta mbajë gjallë perspektivën evropiane, ta ruajë dialogun pavarësisht ndarjeve dhe të parandalojë që ndjenja aktuale e stagnimit të shndërrohet në një karakteristikë të përhershme. Instituti Evropian për Paqe dhe partnerët tanë në Alternativën Qytetare të Kosovës mbeten të përkushtuar pikërisht ndaj kësaj. Ne besojmë në ndërtimin e besimit, ruajtjen e marrëdhënieve dhe përgatitjen e terrenit për përparim, dhe pikërisht në këtë frymë e kemi bashkëorganizuar këtë samit”, tha Shaboviq.
Fjalimin kryesor në samit e mbajti këshilltari kryesor i Komisionit Evropian për Pajtimin dhe Normalizimin në Ballkanin Perëndimor, Marko Makovec, i cili theksoi se fokusi duhet të jetë te të rinjtë, të cilët kanë një këndvështrim ndryshe për të ardhmen. Ai nënvizoi se pajtimi nuk mund të imponohet, por duhet të vijë nga komunitetet dhe institucionet lokale.
“Bashkimi Evropian është për ta, dhe për të gjithë ne, korniza brenda së cilës kjo mund të realizohet. Ne gjithashtu do të përpiqemi t'i përmirësojmë instrumentet tona për t'ju ndihmuar, por vendimi duhet të vijë nga komunitetet lokale dhe qeveritë lokale. Ne nuk mund ta imponojmë pajtimin nga jashtë. Praktika dhe përvoja historike e Bashkimit Evropian, duke filluar nga pajtimi i madh ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, e më pas edhe nga disa konflikte të tjera që kemi arritur t'i kapërcejmë me sukses, pavarësisht tensioneve, tregojnë se procesi i pajtimit është afatgjatë dhe matet me breza, e jo me muaj, vite apo cikle zgjedhore”, deklaroi Makovec.
Në kuadër të samitit u mbajt edhe paneli me titull “Dialogu në ngecje: Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mes stagnimit dhe pasigurisë”.
Drejtori ekzekutiv i Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, Naim Rashiti, tha se dialogu ka tri dimensione – Kosovën, Serbinë dhe Bashkimin Evropian – dhe se secila palë shpesh ia hedh fajin ose përgjegjësinë palës tjetër.
“Diçka e mirë ka ndodhur në Kosovë, diçka që ka munguar prej kohësh, dhe ky është bashkëpunimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së. Kjo përfaqëson urën e parë historike që është krijuar me zgjedhjen e presidentit. Kemi në detyrë një president jashtëzakonisht kredibil, gjë që do të sjellë ndryshim në këtë peizazh politik. Këtë e kemi parë që moti, por dëshirojmë të vazhdojmë me ndërtimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Qeveria e udhëhequr nga PDK-ja arriti marrëveshjen e vitit 2013, ndërsa qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje arriti Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2023. Gjatë kësaj dekade, ato kanë luftuar kundër njëra-tjetrës dhe e kanë fajësuar njëra-tjetrën për përmbajtjen e marrëveshjeve, të cilat, në fakt, nuk i pëlqenin asnjërës palë. Shpresojmë dhe do të angazhohemi fuqishëm që këto dy parti të gjejnë një mënyrë për t'i zbatuar të dyja marrëveshjet, atë të vitit 2013 dhe atë të vitit 2024, gjë që është me rëndësi thelbësore. Për sa kohë që nuk i shohim këto dy forca kryesore politike duke bashkëpunuar, nuk do të ketë përparim të madh në dialog, as në proceset dhe agjendat e tjera të shtetndërtimit”, tha Rashiti.
Siç theksoi ai, Kosova duhet t'u kushtojë vëmendje dy segmenteve të këtij procesi.
“Segmenti i parë është rendi kushtetues në aspektin e të drejtave të komuniteteve, që përbën komponentin më të madh të të drejtave të komuniteteve dhe një pjesë të rëndësishme të Dialogut të Brukselit, i cili kërkon aranzhime shtesë për realizimin e të drejtave të komuniteteve në këtë mjedis. Interesi i shoqërisë civile, në mesin e të gjitha grupeve etnike në Kosovë, është të sigurohet që Kosova t'i zbatojë të dyja aspektet”, shtoi ai.
Sipas tij, Kosova dhe BE duhet të ndërtojnë një proces paralel për zbatimin e dialogut, krahas marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“Kjo ka funksionuar shumë mirë pas Vjenës dhe Ahtisaarit dhe ne duhet të kthehemi në atë rrugë. Formati zyrtar në Bruksel shërben vetëm për hartimin e projektaranzhimeve. Zbatimi është një proces i veçantë, të cilin BE dhe Kosova duhet ta rivendosin, diçka që në të kaluarën ka funksionuar në mënyrë shumë efektive, por që tani nuk funksionon më. Kjo kërkon një dialog të ri ndërmjet BE-së dhe Kosovës, për të siguruar që Kosova t'i zbatojë marrëveshjet në përputhje me ambiciet e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Por kjo nënkupton gjithashtu se BE duhet ta ndryshojë deri diku procesin dhe qasjen ndaj çështjes se çfarë përfaqëson në të vërtetë dialogu”, tha Rashiti.
Diplomati dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Goran Svilanoviq, tha se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit kishte pritur përparim në dialog, por se kjo nuk ndodhi.
“Gjërat po ndodhin në terren, ndërsa dialog nuk ka. E vlerësoj shumë Sørensenin, por asgjë nuk po ndodh për arsye të ndryshme. Unë nuk jam pjesë e lojës së hedhjes së fajit, prandaj nuk i fajësoj as autoritetet këtu, as ato në Beograd dhe as BE-në. Thjesht po them atë që shoh: dialog nuk ka, por ka ndryshime në terren që kanë efekt, që ndonjëherë ndikojnë në jetën e njerëzve, madje ndonjëherë edhe në mënyrë dramatike. Ishte më mirë kur vërtet bisedonim me njëri-tjetrin, pavarësisht të gjitha pengesave, duke u përpjekur të arrinim marrëveshje për diçka. Po jua them krejt sinqerisht, vërtet kisha shpresa pas nënshkrimit të Marrëveshjeve të Brukselit, por kjo nuk po ndodh”, tha Svilanoviq.
Drejtori ekzekutiv i OJQ-së Qendra për Veprim Social Afirmativ, Marko Marinkoviq, theksoi se kushtet që Kosova duhet të përmbushë në rrugën drejt BE-së janë të qarta.
“Njëri është grupi standard i rregullave, megjithëse Kosova ende nuk e ka legjitimitetin për këtë, por mendoj se ekziston një proces paralel, në të cilin Kosova po përpiqet të vendosë standarde demokratike që janë në përputhje me standardet e BE-së. Po flasim për demokratizimin, harmonizimin ekonomik dhe përafrimin politik gjeostrategjik me vlerat e BE-së. Kjo është diçka në të cilën Kosova ka qenë e suksesshme. Por ekzistojnë edhe disa kushte të tjera për Kosovën, dhe njëri prej tyre është që të fitojë të drejtën për të hyrë në këtë proces. Kjo varet nga pesë vendet që nuk e njohin Kosovën. Këtu kanë ndryshuar rregullat e lojës”, tha Marinkoviq.
Siç u shpreh ai, megjithëse vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës e ndjekin procesin e demokratizimit të shoqërisë kosovare, veçanërisht trajtimin e komuniteteve joshumicë, arsyeja kryesore pse nuk e njohin Kosovën është frika nga krijimi i një precedenti.
“Precedenti qëndron në faktin se një pjesë e një shteti, në këtë rast e Serbisë, është shkëputur nga shteti amë pa pëlqimin e tij. Pesë vendet kanë probleme të ngjashme me pakicat etnike dhe kanë frikë se një precedent i tillë mund të zbatohet edhe ndaj tyre. Ajo që kërkojnë këto vende nuk janë institucionet demokratike, por një lloj pëlqimi nga Beogradi”, tha ai.
0 komentet