Lista Sërbe: BKS është institucioni i domosdoshëm për mbijetesën e popullit sërb, e jo për tekat e dikujt
Delegacioni i Listës Sërbe ka marrë pjesë sot në debatin rreth Bashkësisë së Komunave Sërbe, formimin, kompetencat, funksionimin dhe sfidat e saj, ku u organizua në ambasadën e SHBA në Prishtinë.
Siç bëhet e ditur në deklaratën e Listës Sërbe, përfaqësuesit e partive, të cilët janë përfaqësuesit legjitimë të popullit sërb, kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre të qartë se formimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe, është detyrim për Prishtinën e cila e ka ndërmarrë në formën e marrëceshjeve ndërkombëtare e më pas, ratifikimin e saj në parlementin e vet me dy të tretat e votave.
Lista Sërbe në këtë takim ka theksuar se BKS është "është institucioni i domosdoshëm për mbijetesën e popullit sërb, e jo për tekat e dikujt", thuhet në deklaratë.
"Është theksuar qartë se formimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe, duhet të kryhet sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 dhe ku ekipi menaxhues është i vetmi organ kompetent për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Sërbe, dhe askush tjetër”, thekson Lista Sërbe. Në deklaratë nënvizohet posaçërisht se është e nevojshme që Bashkësia të ketë kompetenca ekzekutive, ashtu siç është rënë dakord në Bruksel gjatë negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Po ashtu u theksua se themelimi i saj, është obligim që nuk duhet shmangur sepse duhet të jetë një institucion që të shërbejë si mbrojtje për popullin sërb çka do të sigurojë të drejtat individuale dhe kolektive të popullit tonë. Në takim asistuan të gjithë pjesëmarrësit serbë, si përfaqësuesit e dy subjekteve politike ashtu dhe përfaqësues të sektorit të OJQ-ve ku shprehën qëndrim të qartë për nevojshmërinë e formimit të Bashkësisë së Komunave Sërbe, ku edhe një herë konfirmon se është kërkesë e popullit sërb të Kosovës e Metohisë dhe qartësisht tregon se Albin Kurti gënjen kur thotë se sërbët nuk e dëshirojnë Bashkësinë e Komunave Sërbe” thuhet nga Lista Sërbe.
komentet