Lista Serbe me Terasin: Prishtina po ushtron dhunë institucionale dhe fizike

Srpska lista sa Riho Terasom
Burim: Srpska lista

Delegacioni i Listës Serbe, i kryesuar nga presidenti Zllatan Ellek, ka takuar sot në Mitrovicën e Veriut raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Teras, dhe me atë rast ka diskutuar për qëndrimin e popullit serb në Kosovë.

Siç raporton Lista Serbe, me atë rast, delegacioni i asaj partie theksoi dhunën institucionale dhe fizike që regjimi në Prishtinë po e ushtron në vazhdimësi në mbarë Kosovën dhe kërkoi një dënim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare dhe hapa konkretë që do të parandalojnë shtypjen dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të popullit serb.

„Veçanërisht është shqetësuese që çdo ditë ndodhin incidente, nga rrezikimi i sigurisë së qytetarëve tanë nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët, të armatosur deri në dhëmbë me armë të gjata, shqetësojnë qytetarët tanë, arrestojnë pa asnjë arsye me forcë brutale dhe sillen si një ekspeditë ndëshkuese si në jug ashtu edhe në veri të Kosovës dhe Metohisë, deri te ndalimi i deputetëve serbë për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit në Prishtinë dhe për të folur për problemet e popullit serb”, thonë nga Lista Serbe.


Ata theksojnë se kanë dërguar kërkesë që bashkësia ndërkombëtare të insistojë në respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për formimin e Unionit të Komunave Serbe dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit serb që dëshiron të jetojë në paqe në vatrat e tyre shekullore”, përfundon njoftimi.