Lista Serbe: Ndalimi i dy drejtorëve është presion politik, të lirohen menjëherë
Lista Serbe dënoi ashpër në një komunikatë të publikuar mbrëmjen e sotme ndalimin e drejtorëve të shkollave fillore në Kamenicë, Negovan Vasiq dhe Dragan Krstiq, si dhe hyrjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në shtëpitë e tyre familjare dhe në institucionet arsimore ku, siç theksohet, ata ushtrojnë një detyrë të ndershme dhe me përgjegjësi.
Nga Lista Serbe theksojnë se bëhet fjalë për presion politik, pasi aksioni po zhvillohet në momentin kur, pikërisht në bazë të raportimit të drejtorit Negovan Vasiq, në cilësinë e menaxherit të qendrës së votimit, Lista Serbe ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shkak të manipulimeve serioze me votat në vendvotimin në Boljevc.
“Këtë e shohim si frikësim të dëshmitarëve dhe të personave që kanë treguar për parregullsitë zgjedhore”, thuhet në komunikatë.
Më tej theksohet se, në vend që organet kompetente të hetojnë pretendimet për manipulime zgjedhore dhe të mbrojnë ligjshmërinë e procesit zgjedhor, autoritetet në Prishtinë po ndalojnë personat që kanë sinjalizuar keqpërdorime të mundshme, duke dërguar kështu një mesazh të rrezikshëm për të gjithë serbët që dëshirojnë të luftojnë për të vërtetën, drejtësinë dhe parimet demokratike.
“Negovan Vasiq dhe Dragan Krstiq janë punonjës të respektuar të arsimit dhe njerëz që jetën e tyre profesionale ia kanë kushtuar edukimit të fëmijëve. Ndalimi i tyre, kontrollimet e shtëpive familjare në prani të anëtarëve të familjes dhe hyrjet në shkolla përbëjnë një akt të papranueshëm të dhunës institucionale, që synon të përhapë frikë dhe pasiguri te populli serb”, thekson Lista Serbe në komunikatë.
Kjo parti kërkon lirimin e menjëhershëm të Vasiqit dhe Krstiqit, si dhe ndërprerjen e ndjekjeve të motivuara politikisht dhe të keqpërdorimit të institucioneve për qëllime të përballjes me popullin serb dhe përfaqësuesit e tij legjitimë.
Gjithashtu, kërkohet që institucionet kompetente të hetojnë urgjentisht të gjitha pretendimet për parregullsi zgjedhore në Boljevc dhe në mjedise të tjera, sepse është e papranueshme që ata që sinjalizojnë keqpërdorime të mundshme t’i nënshtrohen presioneve, ndërsa për vetë keqpërdorimet të mos flitet fare.
Lista Serbe shton se do të vazhdojë të luftojë me mjete demokratike dhe juridike për të drejtat e popullit serb, për të vërtetën rreth procesit zgjedhor dhe për mbrojtjen e çdo qytetari nga ndjekja politike dhe represioni institucional.
Më herët, Zyra për Kosovë dhe Metohi njoftoi se dy drejtorë të shkollave fillore serbe nga Kamenica janë ndaluar sot për arsye politike dhe me urdhër të Prishtinës dhe se, pas disa orësh marrjeje në pyetje në polici, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë.
0 komentet