Zyra për KeM: U ndaluan dy drejtorë të shkollave serbe nga Kamenica, hakmarrje e Kurtit dhe Rashiqit
Zyra për Kosovën dhe Metohinë njoftoi se dy drejtorë të shkollave fillore serbe nga Kamenica janë ndaluar sot për arsye politike dhe me urdhër të Prishtinës, ndërsa pas disa orësh marrjeje në pyetje në polici, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë.
Bëhet fjalë për Negovan Vasiqin, drejtor i Shkollës Fillore “Bratstvo” në fshatin Strezoc, dhe Dragan Krstiqin, drejtor i Shkollës Fillore “Desanka Maksimović” në Kamenicë.
Në njoftim thuhet se pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, të armatosur rëndë, fillimisht kanë hyrë në shtëpitë familjare të drejtorëve dhe kanë kryer kontrollime, gjë që, sipas njoftimit, ka shkaktuar stres dhe frikë të madhe te familjet e tyre, veçanërisht te fëmijët. Më pas, ata kanë hyrë edhe në shkollën “Bratstvo”, prej nga, siç pretendohet, pa asnjë bazë ligjore dhe pa të drejtë kanë marrë dokumentacionin shkollor.
“Ky aksion përfaqëson hakmarrjen e regjimit të Albin Kurtit për rezultatin e shkëlqyer të Listës Serbe në zgjedhjet e së dielës dhe veçanërisht për rezultatin e dobët të të preferuarit të Kurtit, Rashiqit, në Kamenicën e Kosovës. Qëllimi i vetëm politik i tyre është dëbimi, arrestimi dhe frikësimi i serbëve të ndershëm, të cilët nuk kanë mundur dhe nuk mund t’i detyrojnë të punojnë dhe të votojnë për ta”, thuhet në njoftim.
Zyra për KeM thekson se “policia e Kurtit nuk ka çfarë të kërkojë në shkollat serbe dhe nuk ka asnjë kompetencë në to”.
“Me demonstrimin e sotëm të forcës, regjimi në Prishtinë po përpiqet të kriminalizojë serbët e ndershëm dhe të përhapë shqetësim dhe frikë te të gjithë serbët e ndershëm në Anamoravën e Kosovës”, thuhet më tej.
Për këtë arsye, Zyra për Kosovën dhe Metohinë kërkon lirimin e drejtorëve të arrestuar dhe ndërprerjen e presioneve ndaj popullit serb.
“Sepse nuk ekziston asnjë forcë apo detyrim me të cilin Kurti dhe shërbëtori i tij Rashiq mund ta justifikojnë debaklin e tyre zgjedhor në të gjitha mjediset serbe”, përfundon njoftimi.
0 komentet