Popoviq: Serbët treguan se kush mund t’i mbrojë interesat e tyre, Rashiq nuk e ka mbështetjen e popullit serb

Srđan Popović
Burim: Kosovo Online

Kandidati për deputet i Listës Serbe, Srgjan Popoviq, theksoi se serbët në zgjedhje treguan se kush është i vetmi që mund t’i mbrojë interesat e tyre, ndërsa shqiptarët, sipas tij, duan me çdo kusht ta kenë “serbin e tyre” në institucione, i cili do të zbatonte atë që ata kanë planifikuar.

Popoviq deklaroi për Informer TV se situata në Graçanicë para zgjedhjeve ka qenë gjatë gjithë kohës shumë serioze dhe se Lista Serbe dhe serbët kanë qenë nën presion të madh.

“U përpoqën të krijonin frikë. Filluan me shantazhe. Pas kësaj vazhduan me arrestimet e drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore. Menduan se kështu kishin arritur efektin e dëshiruar. Por, si kurrë më parë, qytetarët në Graçanicë dolën në zgjedhje dhe Lista Serbe mori numrin më të madh të votave deri më tani, madje 1.100 më shumë se në zgjedhjet e kaluara”, shpjegoi ai, duke shtuar se në të njëjtën kohë numri i votave për Rashiqin u ul me 400.

Ai tha se ata nuk arritën atë që kishin menduar, sepse populli u bashkua.

“Qytetarët e kuptuan se kujt duhet t’i besojnë dhe kush i mbron më së miri interesat kombëtare të popullit serb, si dhe se politikanëve si Rashiqi nuk u takon vendi në mesin e popullit tonë”, tha Popoviq.

Sipas tij, shqiptarët duan me çdo mënyrë ta kenë serbin e tyre në institucione, sepse vetëm kështu mund të realizojnë atë që kanë planifikuar.

“Në këto zgjedhje Rashiq tregoi se nuk e ka mbështetjen e popullit serb dhe se nuk ka të drejtë për një mandat deputeti bazuar në rezultatet e arritura në mjediset serbe. Për të votuan shqiptarë nga vende si Malisheva, Juniku, Deçani, Podujeva dhe Peja, ku nuk ka serbë. Kjo vetëm tregon se shqiptarët e mbështesin politikën e tij. Ajo që është e rëndësishme për ne është se ai nuk ka mbështetje te populli ynë. Të dhjetë mandatet e fituara në mjediset serbe tregojnë gjendjen reale dhe se kush mund t’i mbrojë interesat e komunitetit serb”, tha Popoviq.

Duke folur për rezultatet e zgjedhjeve, ai tha se janë përsëritur rezultatet e zgjedhjeve të vitit të kaluar.

“Do ta shohim raportin e forcave në Kuvend. Ne do të shikojmë se çfarë është më e mira për ne dhe çfarë është e rëndësishme për popullin tonë. Te shqiptarët situata është kaotike. Ne e dimë se çfarë mendojnë qeveria dhe Albin Kurti për ne”, tha Popoviq.

Ai theksoi se Lista Serbe është bastioni i mbijetesës së popullit serb dhe nënvizoi se kjo parti do të vazhdojë të mbrojë interesat e komunitetit serb në Kosovë.