Maroeviq: Muxhahedin-e-Kalk arsyeja e vetme për shqetësim në Shqipëri, sulmi i Iranit pak i mundshëm

Rade Maroević
Burim: Kosovo Online

Arsyeja e vetme për shqetësim në Shqipëri është prania e grupit disident Muxhahedin-e-Kalk, i cili nga Irani fillimisht u arratis në Irak, e më pas u zhvendos në Shqipëri, thotë për Kosovo online redaktori i portalit të RTS-it, Rade Maroeviq. Ai shton se shqetësimi i Shqipërisë është i kuptueshëm, por se në këtë moment është pak e mundshme që të ndodhë një sulm nga Irani.

“Vetëm një arsye për shqetësim ekziston në Shqipëri, dhe ajo është ky grup disident Muxhahedin-e-Kalk, i cili nga Irani u arratis në Irak, e më pas nga Iraku në Shqipëri. Kjo ndodhi rreth 15 vite më parë dhe që atëherë, në thelb, kanë filluar të përkeqësohen marrëdhëniet mes Teheranit dhe Tiranës, të cilat kurrë nuk kanë qenë në ndonjë nivel të lartë, përveç një periudhe të shkurtër kur Enver Hoxha ishte në pushtet”, thekson Maroeviq.

Ai shpjegon se Irani në njëfarë mënyre e konsideronte Shqipërinë, ashtu të izoluar siç ishte në atë kohë, si një urë drejt Evropës.

“Meqenëse e gjithë kjo dështoi dhe marrëdhëniet me kalimin e kohës u dobësuan, në fund ato u ndërprenë plotësisht dhe para katër vitesh, nëse nuk gaboj, marrëdhëniet diplomatike u ndërprenë tërësisht. Diplomatët iranianë u dëbuan nga Shqipëria dhe gjatë këtyre viteve u shfaqën disa herë informacione se ekzistojnë agjentë të shërbimeve sekrete, iraniane ose të Gardës Revolucionare, që mbikëqyrin kampin ku ndodhen këta disidentë”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Duke folur për skenarët e mundshëm të sigurisë, Maroeviq thekson se opsionet ekstreme janë pak të mundshme.

“Në një zhvillim, le të themi, më shumë fantastiko-shkencor të situatës, madje mund të ndodhë edhe një sulm, por kjo përfundon aty. Cila mund të ishte metoda? Çfarë është një sulm i mundshëm? Pra, Irani nuk mund të arrijë deri në Shqipëri, nuk ekziston raketë në Iran që mund të arrijë deri në Shqipëri. Mund të arrijë larg, por jo aq larg, dhe as nuk mund të godasë me një saktësi të tillë që të godasë pikërisht Durrësin nga Teherani – kjo është paksa fantastiko-shkencore”, thotë ai.

Si një mundësi teorike ai përmend veprimet indirekte.

“Ajo që mund të ndodhë është ndonjë sulm proksi – të dërgohen njësi speciale që do ta hidhnin në erë, por kjo është shumë pak e mundshme, sepse taktika e Iranit në këtë luftë është mjaft e qartë dhe ata nuk merren me gjëra të tilla. Është i qartë shqetësimi i Shqipërisë, për këtë arsye janë rritur masat e sigurisë rreth atij kampi, është i qartë zemërimi i Iranit për ekzistencën e tij, por a do të vijë deri te ndonjë përplasje – kjo në këtë moment është shumë pak e mundshme”, thekson Maroeviq.

I pyetur për rolin e kampit pranë Durrësit, Maroeviq shpjegon se qëllimi i tij ishte shpëtimi i njerëzve nga Irani.

“Qeveria shqiptare në atë kohë, e udhëhequr nga Sali Berisha, së bashku me administratën amerikane të atëhershme të Barack Obamës, ranë dakord që këta njerëz të zhvendosen, sepse u kanosej rrezik për jetën. Kampi Ashraf, që fillimisht ndodhej në veri të Irakut, ishte vazhdimisht në shënjestër të milicive shiite pro-iraniane. Në fund u vranë rreth 140 anëtarë të Muxhahedin-e-Kalk, ndaj amerikanët konsideruan se ata nuk kishin çfarë të kërkonin më atje dhe duhej t’u gjendej një vend tjetër”, thotë ai.

Ai shton se në lojë kanë qenë disa lokacione, ndërsa Shqipëria, duke dashur të përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-në, ofroi Durrësin.

“Pra, nuk ka ndonjë rol të veçantë. Është një qendër e një organizate që në thelb nuk ka ndonjë ndikim të madh në Iran. Në këtë situatë të ndërlikuar rreth luftës, dy persona janë varur në Teheran. A kanë qenë ata vërtet pjesëtarë të Muxhahedin-e-Kalk, realisht nuk mund ta dimë, por herë pas here përmenden si një nga opsionet e mundshme për pasardhjen e pushtetit aktual në Iran, nëse dhe kur ai bie. Pra, ose do të jetë Reza Pahlavi, ose ata, ose dikush tjetër – këtë në këtë moment nuk e dimë”, shpjegon baskëbiseduesi ynë.

Ai thekson se ata, sipas disa pretendimeve, kanë organizuar edhe sulme kibernetike ndaj Iranit, por ndikimi i tyre mbetet i paqartë.

“Këto sulme ndonjëherë kanë pasur më shumë kuptim, ndonjëherë më pak. Një herë depërtuan në sinjal dhe transmetuan në televizionin shtetëror. Kjo zgjati rreth tridhjetë sekonda dhe më pas u ndërpre. Pra, ndikimi i kësaj organizate është mjaft i paqartë në këtë moment”, thotë Maroeviq.