Milloviq: E rëndësishme është letra për përdorimin e simboleve tona që të mos na arrestohen fëmijët në Vidovdan

Dragiša Milović
Burim: Kosovo Online

Kryekomunari i Zveçanit Dragisha Milloviq theksoi sot në seancën e parlamentit komunal se e rëndësishme është që përfaqësuesit e BE, Pesëshes dhe Euleks t’i përcjellin letër Prishtinës në të cilën t’u bëhet e ditur se përdorimi i flamurit dhe simboleve është e drejtë kushtetuese e komuniteteve, pasi sërbët prej vitesh kanë treguar për cënimin e të drejtave të tyre themelore humane mes të cilave është dhe e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare dhe flamurit. Në takimin e Vidovdanit kujtoi se të rinjtë sërbë u arrestuan për mbajtjen e simboleve kombëtare apo bluzave me figurën e një nga manastiret dhe shpreson se sivjet festa do të kalojë në qetësi se sërbët do të mund t’a festojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se fëmijët nuk do të arrestohen.

“Është mjaft e rëndësishme që përfaqësuesit e Unionit Europian, ambasadat e vendeve të Pesëshes dhe misioni i EULEKS t'u përcjellin letër përfaqësuesve të pushtetit në Prishtinë, në të cilën kërkuan që komuniteteve pakicë t'u mundësohet dhe të sigurohet përdorimi i të drejtës së garantuar me kushtetutë për simbolet dhe flamujt kombëtarë. Madje nënvizuan se përdorimi i flamujve dhe simboleve kombëtare të pakicave, është e garantuar dhe mbrojtur me kushtetutë. Kjo është mjaft e rëndësishme, sepse ne prej vitesh kemi insistuar dhe vënë në dukje me këmbëngulje kërcënimin e të drejtave tona themelore njerëzore e demokratike, si dhe ato të drejta që janë të garantuara me Kushtetutë mes të cilave dhe e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare dhe flamujve”, tha Milloviq para këshilltarëve dhe falënderoi përfaqësuesit e BE, ambasadorët e Pesëshes në Prishtinë dhe shefin e EULEKS.

Ai tha se letra u është përcjellë të gjithë kryekomunarëve në veri dhe në jug të Ibrit.

“Ky është hapi i parë pozitiv, ndoshta i vogël, por sinqerisht shpresoj që të çojë në stabilizimin e situatës. Gjithë këto vite kemi parë sesi, mbi të gjitha në Gazimestan, kur njerëzit tanë vijnë për të festuar festën kombëtare, arrestohen të rinjtë sërbë vetëm sepse mbajnë flamuj me simbole kombëtare, flamurin e Republikës së Sërbisë apo bluza me imazhin e ndonjë manastiri qoftë ky i Otroshkit apo ndonjë tjetër. Policia raste të tilla i ka interpretuar si provokime. Ndaj është hap i rëndësishëm. Shpresoj që Vidovdani, i cili vjen pas disa ditësh, do të kalojë në paqe dhe ne sërbët do të mund t’a festojmë në mënyrën më të mirë të mundshme atë festë, ndërsa të rinjtë tanë, fëmijët tanë nën respektimin e të drejtës së garantuar me Kushtetutë, nuk do të arrestohen” theksoi Milloviq.

Ndërkaq në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Zveçanit, këshilltarët miratuan kornizën buxhetore afatmesme për periudhën 2027-2029, si dhe Rregulloren për përcaktimin e orarit të punës së subjekteve ekonomike në territorin e komunës.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavljeviq tha se komuna përballet me probleme në zbatimin e buxhetit, duke bërë të ditur se fondet e parashikuara për këtë vit ende nuk janë shfrytëzuar në masë të plotë për shkak të pengesave administrative dhe pamundësisë së angazhimit të zyrtarëve të prokurimit publik.

"Korniza buxhetore afatmesme është miratuar, ndërsa buxheti final do të miratohet në shtator. Ky dokument ofron korniza dhe parashikime të caktuara për tre vitet e ardhshme. Dhe vetë ju ashtu si ne të punësuarit e Komunës së Zveçanit, jeni dëshmitarë të faktit se buxheti i miratuar nga mbledhja e mëparshme e kuvendit për këtë vit praktikisht nuk është shpenzuar fare. Arsyeja për këtë është pamundësia e punësimit të zyrtarit të prokurimit publik, i cili do të mundësonte zbatimin e procedurave adekuate në përputhje me ligjin. Ne bëjmë punën tonë dhe përpiqemi të marrim vendime në përputhje me ligjin. Megjithatë, pikërisht ministritë që merren me respektimin e ligjit-këtë të fundit nuk e respektojnë dhe në çdo mënyrë përpiqen të sabotojnë punën e Komunës së Zveçanit, si dhe të komunave të tjera në veri të Kosovës”, tha Millosavljeviq.

Kur është fjala për përcaktimin e orarit të punës së subjekteve biznes, ai kujtoi se qysh prej marrjes së detyrës në dhjetor, kanë ardhur kërkesa, para së gjithash nga pronarët e restoranteve të cilët mendonin se orari i punës i përcaktuar nga rregullorja e mëparshme ishte shumë kufizues.

“Na kërkuan t’u lejojmë zgjatjen e orarit të punës në përputhje me ligjin dhe të shikojmë zgjidhje të tjera që egzistojnë në komunat e tjera në veri të Kosovës. Me miratimin e sotëm të kësaj rregulloreje, ne këtë e bërëm. Restoratorët dhe subjektet e tjera biznesi nga komuna jonë asistuan aktivshëm në hartimin e kësaj rregulloreje”, tha Millosavljeviq.

Sikurse u spegua gjatë seancës, rregullorja e re duhet të mundësojë funksionim më fleksibël të shërbimeve të hotelerisë dhe objekteve të tjera të biznesit.

Përveç temave që ishin në rendin e ditës të seancës, Drejtoria e Kadastrës dhe Gjeodezi informoi se Shërbimi Kadastral Komunal prej të hënës së 29 qershorit, do të nisë me marrjen e shërbimeve që janë kompetencë e saj. 

Qytetarët do të mund të paraqesin kërkesa për transferim të të drejtave të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, korrigjimin e gabimeve në sistemin kadastral, si dhe lëshimin e dokumentacionit kadastral dhe ndryshimin e të dhënave në kadastër dhe punë të tjera në fushën e të dhënave kadastrale.

Kërkesat do të dorëzohen në ambientet e zyrës së shërbimit kadastral në katin përdhes të godinës së Komunës së Zveçanit, çdo ditë pune nga ora 9:00 deri në 12:00.