Pavkoviq: Qeveria në mandat teknik nuk do t’i përshtatej Kurtit në plan afatgjatë

miloš pavković
Burim: Kosovo Online

Drejtori i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane nga Beogradi, Millosh Pavkoviq, theksoi se një qeveri e Kosovës në mandat teknik do ta nxirrte dialogun me Serbinë jashtë agjendës, por se një qeveri e tillë nuk do t’i përshtatej kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në plan afatgjatë.

Pavkoviq për Kosovo online thekson se për Kurtin, nëse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese qeveria e Kosovës do të ishte në mandat teknik deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme, kjo do të ishte një justifikim i mirë për të mos u marrë me çështjen e dialogut dhe të Asociacionit të komunave serbe.

“Kurti aktualisht nuk është në mandat teknik, duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ngrirë të gjithë procesin deri në fund të marsit, kjo në fakt do të thotë se ekziston mundësia që ai të jetë në mandat teknik nëse shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, ai do të vazhdojë të jetë kryeministër me mandat të plotë. Nëse ndodh mandati teknik, ai do të ketë një justifikim të mirë për të mos u marrë me çështjen e dialogut, normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e Asociacionit të komunave serbe”, tha Pavkoviq.

Megjithatë, shton bashkëbiseduesi ynë, Kurti me një qeveri në mandat teknik do të hynte në një terren politik shumë të vështirë.

“Çdo zgjedhje sjell një lloj pasigurie. Mendoj se ai do të synojë të mbetet në mandat të plotë dhe të shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe mandatin teknik, gjë që e ka sinjalizuar edhe në disa deklarata. Mandati teknik do të nënkuptonte patjetër që të gjitha çështjet që lidhen me dialogun të nxirren jashtë agjendës dhe kjo do t’i shkonte për shtat Kurtit, megjithatë, në përgjithësi, mandati teknik nuk do t’i shkonte në favor në plan afatgjatë”, thekson Pavkoviq.